Brunilda Kadi u rikonfirmua në detyrë, KPK zbardh vendimin e plotë për anëtaren e KLD

0
500

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi ditën e djeshme vendimin e plotë për gjyqtaren pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Brunilda Kadi. Kjo e fundit është edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pak ditë më parë u rikofimua në detyrë. Sipas KPK, Brunilda Kadi nuk ka probleme të mëdha me pasurinë, përveç disa pasaktësive të vogla. “Deklarimi në deklaratën “Vetting” është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Pasaktësitë e konstatuara në deklarimet ndër vite nuk kanë sjellë pasoja të tilla që ato të konsiderohen të pamjaftueshme në kuptim të nenit 61/3 të ligjit nr. 84/2016; Nuk ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasuritë. Nuk është kryer fshehje pasurie; Nuk ka deklarime të rreme; Subjekti nuk ndodhet në situatën e konfliktit të interesit.

Në deklarimin për vitin 2003 dhe në deklarimin për vitin 2005, nuk është deklaruar pjesa takuese (1/4) e bashkëshortit të subjektit, në një banesë të blerë nga ish-Ndërmarrja Komunale Banesa. Në deklarimin për vitin 2004, rezulton të mos jetë deklaruar një autoveturë tip “Mercedes-Benz” 190D, shitja e së cilës është deklaruar në deklarimin periodik për vitin 2017. Në deklarimin për vitin 2004 nuk është shënuar pjesa takuese e bashkëshortit të subjektit, G.K, në shoqërinë “x””, thuhet në vendimin e KPK. Por këto mungesa deklaratash, KPK i ka quajtur si pasaktësi të vogla. Edhe me figurën, Brunilda Kadi nuk ka probleme. “Nga hetimi mbi pastërtinë e figurës, nuk u gjet asnjë element që të vërtetojë mbi përfshirje të mundshme të subjektit të rivlerësimit në veprime korruptive për shkak të funksionit apo ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës”, vijon vendimi. Ndërsa sa i takon aftësive profesionale, KPK ka konstatuar se anëtarja e KLD arrin një nivel minimal kualifikues në vlerësim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here