Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, personat fizikë nuk duhet të dorëzojnë vendimin për destinimin e fitimit, ja sa ulen gjobat për personat juridikë

0
454

Personat fizikë nuk do të duhet të depozitojnë më në organet tatimore vendimin e destinimit të fitimit, ndërsa personat juridikë që i dorëzojnë me vonesë do marrin vetëm një herë gjobë 10 mijë lekë dhe jo për çdo muaj vonesë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të tatimpaguesve, se janë bërë ndryshime në ligjin nr.39/2018, datë 09.07.2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, (të botuara në Fletoren Zyrtare nr.134, datë 18.09.2018). Një ndryshim mjaft i rëndësishëm i reflektuar në nenin 33/1 “Dorëzimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, është edhe heqja e detyrimit të subjektit “Person Fizik”, për të dorëzuar vendim për shpërndarje dividenti, pavarësisht përgjegjësisë tatimore, duke qenë se Personi Fizik, sipas konceptit të ligjit tregtar nuk ka personalitet juridik dhe është përgjegjës me të gjitha pasuritë e tij.

Ku konsistojnë ndryshimet

Në mënyrë të përmbledhur ndryshimet konsistojnë në dy momente: Personat fizikë nuk duhet të depozitojnë në organet tatimore vendimin e destinimit të fitimit. Personi juridik, i cili dorëzon me vonesë në organin tatimor vendimin e destinimit të fitimit, penalizohet vetëm me një gjobë prej 10,000 lekë dhe jo më sikundër ka qenë me gjobë 10,000 lekë për çdo muaj vonesë. Këto rregullime vijnë si nevojë për reflektim të ndryshimeve të bëra në Udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar i cili në pikën 2.3.9 ka përcaktuar se: “Të ardhurat e personit fizik tregtar nga ushtrimi i aktivitetit tregtar tatohen vetëm sipas kreut III “Tatimi mbi fitimin” (nenet 16-32 të ligjit) në rastin e subjekteve me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit dhe sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, për subjektet me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit. Personi fizik tregtar nuk ka personalitet juridik të ndryshëm nga individi (i regjistruar si tregtar), ndryshe nga rasti i shoqërive tregtare dhe ortakëve të saj individë dhe rrjedhimisht fitimi neto i personit fizik tregtar nuk konsiderohet si e ardhur personale e tatueshme e individit, subjekt i pikës “g” të nenit 8 të ligjit””.

Paketa fiskale e mes vitit

Qeveria miratoi një muaj më parë një seri projektligjesh që lidhen me sistemin e taksave në vend. Kjo u quajt si paketa fiskale e mesvitit dhe synon lehtësimin e sektorit të agroturizmit si dhe vendosjen e një regjimi të ri sa i përket tatimit mbi të ardhurat. Në këtë kuadër, ndryshoi ligji për tatimin mbi të ardhurat, duke ndryshuar kështu shkallën tatimore të biznesit. Shkalla e tatimit mbi fitimin tashmë është bërë 15 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.001 lekë në vit; 5 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.000 lekë në vit. Më parë paguhej 15 për qind për tatimin 8.000.001 lekë dhe 5 për qind deri në 8.000.000 lekë. Ndërkohë, për të gjithë subjektet që certifikohen për aktivitetin e agroturizimit shkalla e tatimit mbi fitimin është bërë 5 %. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5 % e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin 2019 pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Ligjit Nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Për lojrat e fatit, drafti bën një riformulim më të saktë të ligjit për atë se çfarë do të quhen të ardhura bruto nga loja duke cilësuar se taksimi do të bëhet pas zbritjes së fitimit nga loja. Sa i përket ndryshimeve në ligjin për taksat vendore, ato kanë të bëjnë me përjashtimin e subjekteve të certifikuara në agroturizëm nga pagesa e taksës së infrastrukturës. Në këtë paketë ndryshoi dhe ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, sipas të cilit, TVSH-ja e reduktuar në shkallë 6 për qind ofrohet vetëm për shërbimin e fjetjes në strukturat akomoduese ndërkohë që për strukturat me status special me 5 yje furnizim me 6 për qind do të jetë edhe për shërbimet e tjera që ofrohen në këto struktura nga bar restorant, masazhe, sauna.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here