Rritet bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare në luftën ndaj krimit dhe terrorizmit, Komisioni i Sigurisë miraton ligjin

0
475

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje projektligjin që mundëson aderimin e Republikës së Shqipërisë në dy protokolle ndërkombëtare të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, në aspektin e sigurisë detare.

“Aderimi i Republikës së Shqipërisë në këto dy protokolle, synon forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, në aspektin e sigurisë detare duke bashkëvepruar me organet përgjegjëse dhe marrjen e masave të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, nëpërmjet rrugëve detare; realizimin e objektivave nga palët në lidhje me evidentimin e shkeljeve të rregullave të përcaktuara në protokollet e Konventës dhe legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi”, tha zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, lidhur me përfitimet e Republikës së Shqipërisë nga aderimi në dy protokollet.

Relatori i projektligjit, Vullnet Sinaj, shprehu dakordësinë e tij me projektligjin dhe vlerësoi në fjalën e tij aderimin e Shqipërisë në dy protokollet e ndryshuara në vitin 2005. Komisioni, në drejtimin e kryetares, Ermonela Felaj, miratoi në këtë mënyrë projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin 2005 të Konventës për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Lundrimit Detar, aderuar me ligjin nr.8850/2001, dhe Protokollin 2005 të Protokollit për Ndalimin e Akteve të Paligjshme Kundër Sigurisë së Platformave Fikse në Shelfin Kontinental, aderuar me ligjin nr. 8850/2001”. Një ditë më parë, në cilësinë e komisioneve për dhënie mendimi, projektligji ishte miratuar nga komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme dhe komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here