Kontraktohet konsulenti për rishikimin ekonomik të koncesionit të Rinasit, Erjon Braçe: Duhej bërë më herët

0
438

“Rishikimi i kontratës me koncesionarin e Rinasit duhej të ishte bërë më herët”. Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe vlerëson faktin që tashmë është kontraktuar një konsulent privat për të analizuar normën e fitimit krahasuar me tarifat që aplikohen në aeroport. Aeroporti “Nënë Tereza” vlerësohet të ketë tarifat më të larta në rajon, sipas Autoriteti të Konkurencës. Fitimi i aeroportit të Rinasit ka arritur normën e fitimit me 48 për qind, por përgjatë viteve çmimi i biletave të fluturimit nga Shqipëria është më i larti në rajon. Tashmë krijohen kushtet ligjore për rishikimin ekonomik të kontratës së koncesionit. Por për kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ky veprim duhej të ishte bërë më parë. “Unë mendoj që qeveria është në rrugën e duhur. Po bën një veprim që për mua është i vonuar, duhet të ishte bërë shumë kohë më parë. Që në momentin kur ekuilibri për të cilin flitet në nenin e posaçëm të kontratës, pësoi një disbalancë të forta dhe norma fitimi që janë mbi 40% dhe arrijnë deri në 48 për vitin që kaloi”, tha ai. Pavarësisht pretendimeve, sipas Kreut të komisionit, konsulenti ka të drejtë të nisë punën për të analizuar situatën. “Në këtë moment palës sonë, pra qeverisë i ka lindur e drejta e mbështetur në kontratën koncesionare për të përzgjedhur një konsulent të pavarur, i cili do të bëjë këtë auditim të pavarur për ekonominë e koncesionit”, vijoi Braçe. Konsulenti pritet të krahasojë fitimet e koncesionarit me skenarin bazë të fitimeve që ka patur në kontratën e firmosur me qeverinë shqiptare, si dhe do të analizojë çmimet që u vendos palëve të treta firma koncesionare. Gjithashtu në analizë do përfshihet edhe krahasimi i tarifave të Aeroportit të Tiranës me aeroportet e rajonit, për të parë nëse reflekton një nivel i drejtë. Aeroporti “Nënën Tereza” ka tarifa 2-fish më të larta krahasuar me rajonin, të cilat ndikojnë edhe në çmimet e kripura të biletave.

Kërkesa e AAC

Pika 19.4 e kontratës, ku edhe bazohet kërkesa e Autoritetit të Aviacionit Civil parashikon faktin që çdo palë ka të drejtën të kërkojë një rishikim të pavarur të pozicionit ekonomik të koncesionit, i cili do të përfshijë, nëse ka lindur një disekuilibër dhe rekomandimet për të rikthyer ekuilibrin ekonomik të koncesionit. Për të patur një vlerësim të saktë, nëse gjatë kësaj periudhe 14-vjeçare ka lindur një disbalancë, kompania fituese do të ketë në dispozicion 40 ditë kohë nga nënshkrimi i kontratës. Ndërkohë që, më pas palët do të duhet të ulen në negociata për të vendosur balancën e re, që sipas AAC do të jetë në favor të qeverisë shqiptare për shkak të shifrave aktuale që paraqet transporti ajror. Sipas procedurave të publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, periudha e rishikimit ekonomik nga ana e një subjekti të pavarur do të prekë të gjithë kohëzgjatjen e kontratës, që nga viti 2004 deri në vitin 2017, për të cilën do të kryhet edhe analiza e pasqyrave financiare të TIA. Raporti do të hartohet brenda 40 ditëve pas lidhjes së kontratës me kontraktuesin dhe do të evidentojë nëse ka një disbalancë nga kontrata koncesionare dhe do të japë rekomandimet për të rikthyer ekuilibrin ekonomik. Në sitën e ekipit të ekspertëve që do të bëjnë vlerësimin do të vihen, krahas rezultateve financiare, edhe investimet dhe ndryshimet në kapitalin e koncesionarit të aeroportit, por edhe tarifat e aplikuara në krahasim me aeroportet e tjera në rajon. Ky shërbim i pavarur i rivlerësimit të kontratës pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 31.66 milionë lekë dhe është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here