Mbyllet kontrolli i pasurisë për 410 gjyqtarë e prokurorë, KPK e ONM marrin në dorë mbi 1 milion faqe me informacion, ja detajet

0
432

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka mbyllur procesin e verifikimit të pasurisë për gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend. Në total kanë hyrë në veting afro 800 persona, përfshirë këtu dhe këshilltarët e Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit, është ILDKP institucioni i parë që bën verifikimin e pasurisë dhe më pas të dhënat ja kalon KPK. Gazeta ju drejtua me një shkresë institucionit të drejtuar nga Shkëlqim Ganaj, për të mësuar detaje mbi atë se çfarë po ndodh me procesin e vetingut. Në përgjigjen e ILDKP për gazetën, bëhet me dije se është mbyllur procesi i verifikimit të pasurisë për plot 410 gjyqtarë e prokurorë, përfshirë këtu dhe të afërm të tyre. “Aktualisht, ka përfunduar dorëzimi i më shumë se 50 % të subjekteve të rivlerësimit pranë KPK dhe ONM, në total 410 raporte të arsyetuara, bashkë me dokumentacionin e plotë, duke përfshirë këtu periudhën që prej tetorit të vitit 2017”, thuhet në shkresën e ILDKP. Më tej është bërë e ditur se me qëllim përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për realizimin e kontrollit të plotë të deklaratave të pasurisë lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurisë, përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë, ILDKPKI dërgoi korrespondencën shkresore për marrjen e informacionit për më shumë se 3.000 persona, subjekte të rivlerësimit dhe persona të lidhur me ta. “Kthimi i përgjigjeve të ardhura nga kjo korrespondencë, përfshirë dhe dokumentacionin e dorëzuar nga vetë subjektet e rivlerësimit, arrin në një volum të konsiderueshëm me rreth 1 milion e 200 mijë faqe për t’u administruar, vlerësuar, përpunuar dhe pasqyruar nëpër aktet e kontrollit. Ky proces kaq kompleks jo vetëm nga volumi i madh i informacionit të marrë dhe nevojës për vlerësim e përpunim nga ILDKPKI, por mbi të gjitha nga administrimi i tij në mënyrë tërësisht manuale nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces, krijoi jo pak vështirësi në menaxhim”, thuhet në shkresën e ILDKP.

Lidhjet me ONM

Përveç korrespodencave me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ILDKP ka pasur kontakte të ngushta dhe me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. “Paralelisht, ILDKPKI, për të garantuar një ecuri sa më të mirë të të gjithë procesit të rivlerësimit, vendosi marrëdhënie institucionale me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) që në fillim të muajit gusht 2017 me organizimin e takimeve koordinuese me vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafin e tyre mbështetës. Në vijim të këtyre takimeve dhe kërkesave të parashtruara nga ONM, mbi mundësimin e aksesit të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, kërkimin e informacioneve, konsultimin, kopjimin dhe hetimin e deklarimeve të pasurive të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur me të, si dhe dokumentet shoqëruese, ILDKPKI u angazhua me burimet e saj njerëzore dhe institucionale për të krijuar kopje elektronike (skanim) të të gjitha materialeve të përfshira në dosjet individuale fizike të subjekteve të rivlerësimit”, thuhet në dokument. KPK ka hedhur shortin për rreth 144 gjyqtarë e prokurorë që kanë hyrë në veting. Por ILDKP duket se ka dorëzuar dosjet për gjysmën e njerëzve të drejtësisë dhe kjo do të thotë se mund të kemi përshpejtim të procedurave të vetingut.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here