Brukseli trondit politikën, kërkon listë me emra deputetësh, ministrash e ish-ministrash të hetuar dhe arrestuar, prezantohet në Tiranë shembulli kroat

0
385

Bashkimi Europian kërkon listë me emra pushtetarësh të arrestuar apo hetuar për korrupsion me qëllim hapjen e negociatave në qershor. Të martën Parlamenti Europian miratoi raportin e komisionerit Knut Fleckenstein për Shqipërinë, ku theksi është vendosur te dy aspekte: Lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe ngritja me urgjencë e SPAK dhe e Byrosë së Hetimit. Por Brukseli ka lënë afat deri vitin tjetër që të dëshmohet vullneti për luftën ndaj korrupsionit. Javën që lamë pas u mbajt në Tiranë samiti dy ditor i ministrave të Ballkanit me përfaqësues të BE. Gazeta ka siguruar raportin e dalë nga ky takim, ku BE kërkon rezultate konkrete nga reforma në drejtësi. Sipas raportit, kjo matet duke listuar të gjithë të hetuarit, akuzuarit apo dënuarit, sidomos ata për afera korruptive. “Ministrat i bënë thirrje Komisionit të punojë me CEPEJ për të identifikuar një numër treguesish kyç, si buxheti i caktuar për një sistem gjyqësor (në veçanti gjykatat dhe prokuroritë), të dhënat mbi raportin e çështjeve të zgjidhura me ato të regjistruara, ngarkesën e çështjeve dhe kohën e kërkuar për zgjidhjen e rasteve, si dhe të dhënat e rasteve disiplinore dhe atyre të korrupsionit, të cilat mund të japin informacion për statusin dhe performancën e sistemeve gjyqësore, si dhe për progresin e reformave të drejtësisë”, thuhet në raport. Pra BE kërkon fakte konkrete, kërkon emra të hetuar apo dënuar, në mënyrë që të dëshmohet luftë ndaj korrupsionit në nivele të larta. Brukseli gjithmonë ka kërkuar arrestime në nivel ministrash, ish-ministrash e deputetësh. Tani mbetet të shihet se çfarë do bëjë qeveria e prokuroria.

Shembulli kroat

Teksa BE kërkon listë me të arrestuar, duket se ka nisur dhe puna për të shkuar te shembulli kroat. Dje mbërriti në Tiranë drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian, Christian Danielsson, i cili ka dhënë ultimatum për të luftuar korrupsionin dhe ngritur organet e reja të drejtësisë. “Presim që të ketë progres në aspekte thelbësore të tilla si zbatimi i reformës në gjyqësor, veçanërisht historiku i Vetingut, përfundimi i çështjeve prioritare. Rëndësi ka formimi i kuadrit institucional të gjyqësorit sikurse parashikohet në paketën reformuese kushtetuese, si edhe rezultatet kryesore në gjurmimin e të dhënave për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet”, tha ai. Deklaratat e tij u bënë në një seminar, ku janë dhënë direktiva mbi shembullin kroat për hapjen e negociatave. Dihet që Kroacia arrestoi ministra, deputetë e madje kryeministrin dhe sinjalet janë se do jetë i njëjti shembull. “Seminari i sotëm është hartuar në mënyrë të tillë që të nxirrni sa më shumë mësime për përvojën që kaloi Kroacia. Një përvojë e suksesshme. Duke parë përvojën e fundit të Kroacisë mendoj se kemi mundësinë më të mirë për të identifikuar mënyrat më të duhura të Shqipërisë për të forcuar administratën e vet. Ne mund të mësojmë prej përvojës së grupit të Kroacisë dhe të mësojmë se si të vendosim prioritetet dhe se si mund të veprojmë në këtë proces të ndërlikuar”, tha ai.

Apeli i BE

Gazeta ka mësuar detaje dhe nga raporti i miratuar nga PE për Shqipërinë. Aty kërkohet me urgjencë ngritja sa më shpejt e Byrosë së hetimit dhe SPAK. Pra e gjithë vëmendja e ndërkombëtarëve është te ngritja e organeve antikorrupsion. “Teksa vlerësojmë përmirësimet e rëndësishme të bëra nga Shqipëria për të forcuar kornizën e saj ligjore dhe institucionale, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar, mbetemi të shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit, ritmin e ngadaltë dhe joefikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe fakti që mangësitë e sundimit të ligjit dhe procedurat e vështira rregullatore vazhdojnë të pengojnë investimet në vend”, thuhet në deklaratën e deputetëve. Ndërsa në rezolutë kërkohet:Finalizimi i ngritjes së organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH).

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here