ONM dhe Komisioneri Publik marrin dosjen e Zaganjorit, brenda 10 tetorit bëhet apelimi, kreu i Gjykatës së Lartë rrezikon shkarkimin

0
632

Të gjitha rrugët për të ankimuar vendimin e rikonfirmimit në detyrë të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori tashmë janë të hapura. Gazeta raportoi vazhdimisht sesi vendimi për të po mbahej peng nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi nuk u zbardh brenda afatit 30-ditor të përcaktuar në ligj. Këto vonesa u bënë pengesë edhe për Komisionerin Publik që të ankimojë vendimin për kreun e Gjykatës së Lartë. Në momentin që KPK vendosi të mbante në detyrë Zaganjorin, ONM nuk ra dakord dhe i kërkoi Komisionerit Publik shkarkimin e tij. Por këta të fundit nuk e ankimonin dot çështjen tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit sepse më parë duhej që të merrnin në dorë vendimin. Mirëpo me bërjen publik dy ditë më parë të vendimit për Xhezair Zaganjorin, tashmë nuk ka asnjë pengesë që Komisioneri Publik të nisë lëvizjet. Sipas informacioneve të gazetës, Komisioneri Publik dhe ONM e kanë marrë në dorë dosjen e Zaganjorit dhe po shikojnë me kujdes çdo argument të përdorur nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rikonfirmimin e dyshimtë në detyrë të kreut të Gjykatës së Lartë. Madje gazeta ka arritur të mësojë se Komisioneri Publik pritet ta ankimojë vendimin e Zaganjorit në KPA.

Sipas ligjit, ky organ ka afat të apelojë deri në 15 ditë pas zbardhjes së vendimit. Kjo do të thotë që vendimi i Zaganjorit pritet të ankimohet deri në datën 10 tetor. Në vendimin që ka zbardhur KPK vihen re një sërë shkeljesh të kryetarit të Gjykatës së Lartë. Aty thuhet shumë qartë që Xhezair Zaganjori ka kryer evazion fiskal, që nuk e justifikon dot pasurinë dhe që midis deklaratave “Veting” dhe pranë ILDKP të kryera për pasuritë e tij ka mospërputhje. Pikërisht këto pika kanë vënë në lëvizje edhe ONM dhe pritet të shtyjnë Komisionerin Publik drejt ankimimit të vendimit. Po ashtu pritet që nëse dosja e Zaganjorit shkon dhe merret në shqyrtim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ky organ të mos e mbyllë njëri “sy” ndaj shkeljeve të kreut të Gjykatës së Lartë dhe ta shkarkojë. Kujtojmë që rasti i Xhezair Zaganjorit është i njëjtë me atë të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Edhe rikonfirmimi i këtij të fundit në detyrë ishte i dyshimtë, ndërsa ONM kërkoi shkarkim. Pas rekomandimit të ONM, Komisioneri Publik vendosi ta ankimojë. Tani pritet që e njëjta taktikë të ndiqet edhe për Xhezair Zaganjorin.

Shkeljet e Zaganjorit

Xhezair Zaganjori ka deklaruar apartament banimi, sip. 293 m², me vlerë 5.800.000 lekë. Deklarimi i subjektit të rivlerësimit për pasurinë e paluajtshme apartament banimi me sip. 293 m² (Deklarata Veting, viti 2017) nuk përputhet me deklarimin e parë të bërë për vitin 2003 dhe kontratën përkatëse të shitblerjes (kontrata e vitit 2001) për këtë pasuri. Sipas Deklaratës Veting, vlera e apartamentit është 5.8 milionë lekë, ndërsa sipas deklarimit për herë të parë vlera është 7.4 milionë dhe kontrata e shitblerjes është në vlerën 500.000 lekë. Pra ka mashtrim me vlerën e pasurisë. “Burimi i të ardhurave për blerjen e apartamentit është shitja e apartamentit të mëparshëm me vlerë 3.9 milionë dhe pjesa tjetër nga të ardhurat personale dhe qiraja. Në një vlerësim paraprak, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka tri deklarata të ndryshme dhe rezulton një kontratë, e cila nuk korrespondon me deklarimet për pasurinë e blerë, si për vlerat përkatëse, edhe për sipërfaqen. Këto deklarime të ndryshme, si për vlerën, edhe sipërfaqen, nuk justifikohen, për më tepër kur subjekti i rivlerësimit ishte pajisur me certifikatë pronësie për pasurinë e mësipërme që në vitin 2001 dhe deklarimin e parë e ka bërë në vitin 2003”, thuhet në vendim./ Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here