Teatri Eksperimental, në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit me tragjedinë “Medea”

0
630

Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me tragjedinë “Medea” u prezantua në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, që ka nisur prej disa ditësh. “Mededa” e Euripidit, nga regjisori grek Dimitris Mylonas u shfaq në sallën Moliere të këtij teatri. Rolet këtë herë në vepër i janë besuar një kaste të njohur aktorësh të teatrit. Në skenë aktorja Luiza Xhuvani erdhi nën petkat e Medeas, për të vijuar dhe me Roza Anagnostin, Ahmet Pashën, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Adriana Tolka, Kristian Koroveshi, etj. “Medea” shoqërohej me muzikën e kompozitori Pavlos Katsivelis, dhe me pjesë koreografike të Gjergj Prevazit. Aktori Alfred Trebicka këtë herë  në skenë si Jason, më parë në reagimet e tij ia ka vlerësuar punën me regjisorin grek. “Kur flitet për antikitetin dhe “Medean” e Euripidit dihet që është kryevepër e dramaturgjisë. Përpos kësaj regjisori grek Dimitris Mylonas është i nivelit të lartë. Nuk është thjesht fakti që vjen nga Greqia, por nga puna konkrete që ne kemi bërë, koncepti regjisorial, mënyra se si punon dhe e ka vizatuar të tërën, unë personalisht jam shumë i kënaqur me pjesën profesionale të tij. Por jemi dhe një kastë aktorësh vërtetë shumë të mirë”, ka treguar aktori. Tragjedia e Euripidit është përkthyer nga aktori Viktor Zhusti, të cilit regjisori i ka besuar në vepër rolin e Kleontit. Vepra “Medea” është pohuar si maja e dramaturgjisë botërore. Medea njihet për aktin më makabër, që ka mundur të bënte një nënë: vrasjen e fëmijëve të saj, si hakmarrje për tradhtinë e të shoqit, Jasonit, i njohur për lakminë e tij për pushtet. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishti. Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm vjen dhe gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme; dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet.

Euripidi në tragjedinë antike greke

Shkrimtar dhe novator i ideve në tragjedinë antike greke, apo më mirë i njohur si babai i tragjedisë: Euripidi lindi në Athinë në vitin 480 p.e.s dhe vdiq më 406 në Pele të Maqedonisë, ku edhe u varros. Kronologjikisht Euripidi është i treti ndër tragjediografët grek Eskilit dhe Sofokliut. Emri i tij, sikurse edhe i Eskilit dhe i Sofokliut lidhet me luftën e famshme te Salaminës. Dhe sipas disa shënimeve të mundshme të besueshme Euripidi lindi më 20 shtator 480 p.e.s., përderisa Sofokliu 16 vjeçar himnizonte bëmat e luftës ndërsa 45 vjeçari, Eskili i famshëm ishte luftëtar. Ishte një adhurues i flaktë i Demokritit dhe Herakliut, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja se përse ai kishte një bibliotekë të pasur të veten. Edhe pse vinte nga një familje e varfër ai mundi të marr formësimin e gjithanshëm intelektual. Ishte nxënës i Anaksagorës dhe mik i mirë ngushtë i Sokratit. Jo vetëm tragjedia “Medea”, por dhe të tjera vepra të tij janë shfaqur dhe vijojnë të jenë në shumë skena të botës.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here