Studiues dhe etnografë, në seminarin për Xhubletën

0
774

Në qytetin e Shkodrës u zhvillua një aktivitet për vlerat e Xhubletës. Aktiviteti titulluar Xhubleta u organizua në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, 27 Shtatorit Dita Kombëtare e Turizmit dhe 29 Shtatorit Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Tipologjia e Xhubletës si veshje, konsiderohet si nga më të vjetrat. Në gjithë pellgun e Mesdheut e gjejmë ende gjallë të ruajtur në Shqipërinë e Veriut. Atë e gjejmë në Këlmend, e Dukagjin, brigjet e Drinit, Pukë, Zadrimë, rrafshin e Dukagjinit, Has e Gjakovë. Gjithë kjo shpërndarje, tipologji, dhe vlera u prezantuan në seminarin kushtuar Xhubletës. Studiues, etnograf dhe të apasionuar të etnografisë pasqyruan gjithë larminë, artin, simbolikat e saj në këtë aktivitet. Mes tyre përmendim etnografen Afërdita Onuzi që foli për vlerat kulturore të Xhubletës dhe fati i saj sot, Ermira Ymeraj solli në vëmendje ritualin e veshjes së Xhubletës, Ismet Zusi foli për karakteristikat e Xhubletës në malësinë e Lezhës, etj. Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Bëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushte shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurura me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardh e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë kraholine, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetar. Xhubleta e Malsësisë së Madhe është trashëgimi i kulturës tonë Ilirjane ku vetëm nëpërmjet saj paraqesim historinë e humbur të kombit tonë, që malësoret tona e përcollën deri në vitet 1950 -1960, pra e vetmja që jep identitetin e kombit shqiptar, nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për te gjitha është shqiponja. Në misterin e xhubletës janë një seri simbolesh, ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti, dashurinë, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here