Prokurorët dhe gjyqtarët jashtë kontrollit, inspektimet në drejtësi të pezulluara prej dy vitesh, askush nuk ndëshkohet për aferat

0
338

Gjyqtarët dhe prokurorët në vend prej dy vitesh janë jashtë kontrollit. Për shkak të vonesave që kanë ardhur nga reforma në drejtësi, sot njerëzit e sistemit gjyqësor nuk marrin asnjë përgjegjësi për vendimet që marrin dhe shkeljet që bëjnë. Në vitin 2016 u miratua ligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë, ku përcaktohet ngritja e KLGJ, KLP dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Por këto organe nuk po ngrihen dot dhe kanë futur në kaos gjithë sistemin e drejtësisë. Por nga përplasja e dy ditëve më parë te Prokuroria e Krimeve të Rënda, doli në dritë dhe një element tjetër, ku prokurorët dhe gjyqtarët momentalisht janë të paprekshëm. 10 emrat për të cilët nisi procedimi disiplinor reaguan fuqishëm me argumentin se Arta Marku ka shkelur ligjin. E vërteta është se prej dy vitesh njerëzit e drejtësisë nuk kontrollohen dot dhe për më tepër nuk merren dot masa disiplinore. Para vitit 2016 ishte Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i KLD dhe Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme që kryenin inspektime në prokurori e gjykata për të zbuluar shkelje dhe më pas merreshin masa disiplinore. Por në ligjin për organet e drejtësisë, këto detyra i kanë kaluar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ky organ do merret vetëm me inspektimet dhe atje ku ka shkelje, propozon masa disiplinore. Mirëpo ky Inspektorat nuk po ngrihet për shkak të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky organ ka mbetur me 4 anëtarë, pasi 5 kanë ngelur në veting. Por presidenti nuk hedh shortin për vendet vakante dhe KED nuk merr dot vendim. Sipas ligjit, është ai që i propozon Kuvendit Inspektorin e Drejtësisë. Gazeta ka mësuar nga KLD, Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Ministria e Drejtësisë se që kur ka hyrë në fuqi ligji, janë pezulluar inspektimet. Kjo pasi ligji ngarkon vetëm inspektorin dhe jo organet e tjera.

Kaosi në drejtësi

Nëse bëhet një kërkim i thjeshtë në faqet zyrtare të institucioneve respektive, rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, inspektimet e fundit i ka bërë për vitin 2015. Po ashtu dhe Ministria e Drejtësisë ka raportuar në Kuvend për këtë çështje po prej vitit 2015. Përveç inspektimeve, ajo që e ka futur ka kaos drejtësinë është se prokurorët dhe gjyqtarët janë të paprekshëm. Me ligjin aktual ata nuk mund të procedohen për masë disiplinore, nuk mund të shkarkohen dhe nuk mund të transferohen. Një skandal i tillë ndodhi pak kohë më parë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Edhe pse Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkim dhe procedim disiplinor për dhjetra gjyqtarë, KLD nuk pranoi asnjë masë me argumentin se ata nuk e kanë këtë kompetencë. Por ngritja e Inspektorit duket se do të dojë dhe shumë muaj. Kandidatët për këtë post kanë hyrë në veting, por ende nuk janë zhvilluar seancat dëgjimore. Nëse ata e kalojnë vetingun, do të duhet kohë dhe për zbardhjen e vendimit. Por përveç kësaj, problem mbetet ngritja e KED. Presidenti ka deklaruar se shortin do e autorizojë në dhjetor. Nëse ndodh kjo, në dhjetor do ndryshohen të 9 anëtarët dhe emrat e rinj do të duhet të futen në veting. Vetingu do të dojë disa muaj dhe kjo do të thotë se Inspektori i Drejtësisë nuk do ngrihet lehtë. Paralelisht me këtë gjyqtarët dhe prokurorët do jenë të lirë të bëjnë çfarë të duan. / Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here