Nisma e PD, Hazizaj dhe Gjokutaj: Në veting duhet të kalojnë familjarët dhe pasuritë, lidhjet me krimin i zgjidhin ligjet aktuale

0
505

Propozimi i opozitës për të futur në veting edhe politikën nxiti shumë reagime. Nga ana e mazhorancës një ide e tillë u mirëprit, por duke kërkuar edhe disa ndryshime të draftit, siç është shtrirja e vetingut edhe tek familjarët dhe pasuria e politikanëve. Edhe juristët në parim e mbështesin propozimin e opozitës për të vetuar edhe politikën, por ndahen në disa pika të tjera. Për avokatin Sokol Hazizaj, duket sikur lëvizja e demokratëve dhe LSI është më shumë politike. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ai deklaroi se pikat e propozuara nga opozita janë të nxituara, ndërsa theksoi se më shumë duket si një tentativë për të bërë kompromis me mazhorancën dhe krimin. “Unë jam i mendimit që politika duhet të vetingohet. Parimisht kjo është themelore. Politika duhet të ishte e para sepse pasojë, produkt i të gjitha proceseve korruptive të mëpastajme është politika. Por drafti i përgatitur nga opozita mua më duket që si në kohë, dhe në hapësirë nuk është draft i gjetur. Kjo do të thotë se në hapësirë, në përmbajtje ato çfarë opozita propozon duket që janë të nxituara sepse nuk konvergojnë me dispozitat respektive të Kushtetutës që është neni 45, 176 dhe 179. Unë konstatoj që në draftin e opozitës mungon edhe një farë vullneti. Më tepër është një aspiratë për të zgjidhur një kompromis politik me mazhorancën dhe për të hyrë së bashku në rrugën e bashkëpunimit me krimin sesa një tentativë ndarjeje krimi prej mazhorancës. Sepse dihet tashmë që mazhoranca është bërë bashkë me krimin. Çështja është sesa mund ta pastrojmë ne pak”, tha Hazizaj. Në draftin e opozitës theksi kryesor ndalet tek lidhjet e politikanëve me krimin. Pra, opozita ka në fokus që të largojë nga Parlamenti të gjithë ata deputetë që kanë lidhje me të inkriminuarit. Por sipas Hazizajt, lidhjet me krimin zgjidhen edhe përmes ligjeve aktuale. “Ne nuk nga mbaron dhe nuk na mungon formati ligjor për të vetuar politikën. Ne kemi goxha ligje, që nga Kodi Zgjedhor e deri tek ligji për dekriminalizimin dhe ligje të tjera për ta goditur krimin në politikë. Çështja është se tek ne nuk mirë-funksionojnë institucionet, pra ne kemi mangësi ligjzbatimit. Mjafton të zbatosh ligjin, krimi është i larguar”, u shpreh Sokol Hazizaj.

Familjarët dhe pasuria në skaner

Edhe juristi Genc Gjokutaj bie dakord në parim me vetingun në politikë. Në një reagim për gazetën “SOT”, ai theksoi se një proces i tillë nuk do e pengonte më pas procesin penal ndaj deputetëve të gjetur me shkelje. “Ka dy koncepte, ka çështje penale, procedimi, marrja e përgjegjësisë penale, burgimet, por vetingu nuk është një procedurë e tillë. Mund të mos kesh përgjegjësi penale, por ke përgjegjësi politike dhe morale dhe nuk mund të jesh në politikë. Vetingu nuk e pengon procesin penal. Këto të dyja konkurrojnë me njëra-tjetrën, secila ka efektin e vet. Për mua, pse të mos bëhet. Vetingu në politikë nuk e zëvendëson dot procesin penal, por as procesi penal nuk e zëvendëson dot vetingun”, deklaroi Gjokutaj. Por nga ana tjetër, ai u shpreh se, ndryshe nga ç’pretendon opozita, vetingu duhet të përfshijë edhe familjarët e politikanëve dhe pasurinë. “Sa i takon pjesës së shtrirjes së vetingut, vetëm një ligj mund të shtrihet edhe tek familjarët e politikanëve sepse përsa i përket përgjegjësisë penale, nuk ka përgjegjësi kolektive. Por kur një politikan që bën një deklaratë pasurie me një pasuri modeste dhe rrethi i tij i ngushtë familjar figuron me investime strategjike dhe shuma të konsiderueshme parash, këtu ndërhyhet politikisht nga vetingu. Kjo për mua është një “korrje”, dora e parë dhe më pas do të hyhet në detaje dhe në procesin penal”, tha Genc Gjokutaj.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here