Mogherini pret që Thaçi e Vuçiq të takohen në fund të muajit

0
588

Ka dështuar mbajtja e takimit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Shkak i mos mbajtjes së takimit, sipas sqarimit të delegacionit nga Serbia ishte mungesa e lejes nga autoritetet e Kosovës, që presidenti serb Vuçiq, gjatë qëndrimit të planifikuar në Kosovë, të vizitonte edhe Liqenin e Ujmanit.

Në vend të takimit të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar vetëm takime të ndara me të dy presidentët.

Pas këtyre takimeve, Mogherini ka bërë të ditur se takimi i planifikuar do të shtyhet për në fund të këtij muaji. Ajo ka shprehur bindjen se megjithatë, të dy presidentët do të tregohen të përkushtuar në arritjen e marrëveshjes paqësore dhe ligjërisht të obligueshme.

Ndonëse kishte udhëtuar në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiq nuk ka pranuar të takojë sot presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se sot nuk do të ketë takim, ndërkaq kur do të mbahet takimi i radhës, ai theksoi se nuk e di këtë gjë.

Sipas tij, Vuçiq ka vendosur kështu për shkak të, siç tha ai, “kërcënimeve, sulmeve, shantazheve, si dhe tentimeve që t’i ndalohet vizita në veri të Kosovës dhe te Liqeni i Ujmanit” nga ana e autoritete të Kosovës. Për më shumë, sipas tij, mbetet pikëpyetje nëse bisedimet do të vazhdojnë fare edhe më tej me Prishtinën.

Gjithashtu, Gjuriq ka theksuar se janë të papranueshme tentimet e që të zhvlerësohen bisedimet në Bruksel dhe tentimet, siç ka thënë ai, që Presheva, Mdvegja dhye Bujanoci, të paraqiten si pjesë e territorit të Kosovës.

“Çështje e vetme e pazgjidhur, territori i vetëm për të cilin bisedohet dhe kontestohet është çështja e territorit të Kosovës. Gjithçka tjetër, nuk shërben për asgje tjetër, përveç që ta shembë gjithë procesin”, ka thënë Gjuriq.

Siç ka theksuar ai, presidenti i Serbisë, do t’i drejtohet opinionit të premten në mbrëmje, ku edhe do ta bëjë të ditur nëse do ta realizojë vizitën në Kosovë, të paralajmëruar më herët.

THAÇI: VIZITA E VUÇIQIT SIPAS ITINERARIT TË LEJUAR

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në takimin me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini është diskutuar për mundësinë e arritjes së përparimeve. Por, dita e sotme, sipas tij, dëshmon se vështirësitë po shtohen kur është në pyetje arritja e marrëveshjes me Serbinë.

“Gjërat po bëhen edhe më të vështira, sepse mospajtimet po thellohen, kurse dallimet po shfaqen, edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes zonjës Mogherini. Por, këto dallime të mëdha kanë ndikuar që sot dialogu të zhvillohet vetëm përmes Përfaqësueses së Lartë të BE-së”, tha Thaçi.

Ai tha po ashtu se arritja e marrëveshjes mbetet vetëm si një gjasë teorike, por u shpreh i gatshëm për vazhdimin e dialogut.

“Vështirësitë janë të mëdha, pengesat janë të mëdha dhe dallimet janë shumë të thella, por rrugëtimi dhe dialogu për paqe, stabilitetit e fqinjësi të mirë nuk ka alternativë”, tha presidenti i Kosovës.

Ai rikujtoi se konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka një kohëzgjatje prej një shekulli, kështu që parashikoi proces shumë të vështirë deri te arritja e marrëveshjes paqësore.

I pyetur në lidhje me vendimin e presidentit Vuçiq që sot të mos ketë takim dy palësh me lehtësimin e BE-së, Thaçi tha se nuk e sheh atë si bojkot, por që sot është vendosur që dialogu të zhvillohet përmes takimeve të ndara me Përfaqësuesen, Mogherini.

“Kosova i ka institucionet e veta kredibile. Jemi vend i pavarur e sovran dhe do të respektohet itinerari i lejuar për vizitën e presidentit të Serbisë në territorin e Kosovës. As më pak e as më shumë. Ne respektojmë secilin, nuk dëshirojmë të poshtërojmë askënd, por do të mbrojmë sovranitetin e Kosovës”, tha Thaçi.

GJURIQ: THAÇI PO GËNJEN

Në anën tjetër, Marko Gjuriq ka publikuar një letër të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës ku thuhet se Presidenti Serb Aleksandar Vuciq nuk ka leje për ta vizituar Liqenin e Ujmanit (Gazivodës).

“Ju lutem ta keni parasysh se agjenda e vizitës në Kosovë nuk është aprovuar në tërësi,” thuhet në një e-mail që eshë dërguar nga zyrtarë kosovarë dhe e publikuar në Twitter nga Gjuriq.

“Ne nuk mund t’u përgjigjemi pozitivisht lidhur me vizitën në vendin ku është diga e Gazivodës”.

Gjuriq ka thënë se kjo dëshmi tregon se Presidenti i Kosovës Hashim Thaci është duke gënjyer. “Shihet qartë se Prishtina ka ndaluar vizitën në digën e Gazivodës e cila kohëve të fundit është rindërtuar nga shteti i Serbisë.”

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po qëndron në Bruksel në kuadër të delegacionit të Kosovës atje, tha se autoritetet e Kosovës e kanë miratuar kërkesën e Vuçiqit. Ndërkaq në lidhje me interesimin e tij për të vizituar liqenin e Ujmanit, Pacolli tha se nuk sheh arsye pse insistohet në këtë vizitë, kur aty nuk ka as banorë as diçka që do të ishte në interes. Nëse me të vërtetë insiston që të shkoj te Ujmani, Pacolli tha se Vuçiq duhet ta artikulojë se përse dëshiron të shkoj atje dhe më pas autoritetet e Kosovës do të vendosin.

Përndryshe, tha Pacolli, Prishtina zyrtare i ka lejuar tashmë Vuçiqit këtë vizitë, duke përjashtuar liqenin e Ujmanit.

Sot, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, po qëndrojnë në Bruksel, ku ishte paraparë të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha para se të shkonte në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherini se procesi definitivisht po hyn në një fazë të re për të arritur deri te një marrëveshje historike të paqes.

“Ky proces i dialogut, negociatave paqësore besoj se do të shënojë progres për Kosovën dhe Serbinë dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Thaçi, i cili nuk e kishte ende informacionin se takimi ishte anuluar.

“Jam i vetëdijshëm se do të kemi pengesa për të ecur përpara, por jam i bindur se do të kemi përparim. Kjo gjendje e konfliktit të ngrirë është e paqëndrueshme, duhet të ecim përpara drejt paqes përfundimtare, drejt të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, por edhe të ardhmes evropiane të Serbisë, që nënkupton më pak hapësira për ideologji jo perëndimore në Ballkan”, tha Thaçi.

“Në fund, definitivisht, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare ka kuptim kur të ndodhë njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe antaresimin e Kosoves në Kombet e Bashkuara”, nënvizoi presidenti i Kosovës.

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me insistimin e tij që marrëveshja të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit të Kosovës me komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Thaçi tha se “Kosova është unike në favor të dialogut, Qeveria, Kuvendi, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat janë në favor të dialogut, marrëveshjes paqësore dhe demarkacionit te kufiritqë nënkupton edhe përfshirjen e kësaj pjese”.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila po lehtëson edhe këtë takim, ka pritur fillimisht ndaras presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po shoqërohet në Bruksel edhe nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka postuar në Twitter pamje nga takimi me delegacionin nga Kosova.

Thaçi ka komentuar shkurt edhe në lidhje me vizitën e pralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë dy ditëve të ardhshme.

“Institucionet e Kosovës e kanë marrë vendimin e tyre. Unë e respektoj interesim e përfaqësuesve të Serbisë për të diskutuar me serbët e Kosovës dhe shpresoj që mesazhet e tyre do të jenë në funksion të paqes e stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, theksoi Thaçi.

Mogherini ka pritur në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksanadar Vuçiq. Edhe ky takim, është konfirmuar përmes rrjetit social Twitter, nga Maja Kocijançiq.

Takimi i paraparë në Bruksel, ka zgjuar interesim të shtuar pas hapjes së një debati politik dhe në media rreth mundësisë që në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të kufirit.

Po ashtu, takimi i presidentit Thaçi me homologun e tij nga Serbia vjen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës kishte dy përpjekje, si nga Qeveria ashtu edhe opozita, për ndërhyrje në procesin e negociatave. Qeveria, provoi të formonte një ekip negociator për këtë proces të bisedimeve, përderisa opozita synonte që me anë të rezolutës të sanksiononte deri diku “lirinë” e presidentit Thaçi që në këtë dialog të hapë edhe çështjen e kufirit.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte paralajmëruar, se pas këtij takimi të shtunën dhe të dielën do të qëndronte për një vizitë në Kosovë, për të realizuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe banorët serb nga Kosova.

Dialogu ndërmjet Kosoëvs dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka nisur që nga viti 2011, dhe ka për qëllim normalizimin e raporteve midis dy shteteve. RFE /RL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here