Hetimi që po trondit sistemin italian të arbitrimit të futbollit po zgjerohet. Aktualisht, pesë persona janë nën hetim, mes tyre Gianluca Rocchi, Andrea Gervasoni, Luigi Nasca, Stefano Di Vuolo dhe Matteo Paterna. Sipas ANSA-s, numri i personave të regjistruar në dosje mund të jetë më i madh, pasi disa akuza për mashtrim sportiv lidhen me bashkëpunim me “individë të shumtë”.
Në Prokurorinë e Milanos raportohet për një atmosferë të tensionuar, e lidhur me mënyrën se si është menaxhuar hetimi nga prokurori Maurizio Ascione. Deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar për çështjen, ndërsa që prej 25 prillit, kur mbërritën thirrjet për paraqitje për Rocchi dhe Gervasoni, autoritetet nuk kanë dalë me deklaratë publike. Burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se Interi dhe drejtuesit e klubit nuk janë nën hetim.
Personat e përfshirë në dosje janë të gjithë të lidhur me botën e arbitrimit. Hetimi është përqendruar në katër ose pesë ndeshje, të cilat nuk i përkasin sezonit aktual. Ndërkohë, kanë dalë detaje të reja për atë që dyshohet se ka ndodhur për vite me radhë në dhomën VAR në Lissone. Ish-gjyqtari Pasquale De Meo ka deklaruar për AGI-n se ekzistonte një “sistem sinjalesh” për të komunikuar me stafin e VAR-it.
Sipas tij, sinjalet vendoseshin gjatë takimeve javore private të gjyqtarëve dhe dyshohet se përdoreshin për të korrigjuar vendime të konsideruara të pasakta. De Meo, i larguar prej dy vitesh nga bota e arbitrimit, ka ngritur më herët një ankesë të ngjashme, e cila në vitin 2023 u rrëzua nga Prokuroria Federale e drejtuar nga Giuseppe Chinè. Në atë kohë u përmendën edhe emrat e Gianluca Rocchi, Daniele Orsato dhe Paolo Valeri. Rocchi, i pezulluar nga detyra e përcaktuesit të arbitrave, është thirrur të paraqitet para prokurorit Ascione. Ai mund të japë shpjegime për hetimin, por ka gjithashtu të drejtën të heshtë.







































