Në një kohë kur dashuria deklarohet në Instagram, pasuria matet në metra katrorë dhe divorci ka pushuar së qeni fundi i botës, çiftet po zbulojnë se romantizmi nuk e përjashton planifikimin. Përkundrazi. Kontrata paramartesore, dikur e konsideruar si një fyerje ndaj ndjenjave, po shfaqet sot si aspekt i ri i martesës moderne. Jo për të parashikuar ndarjen, por për ta bërë bashkimin më të menaxhueshëm.
Në Shqipëri, kontratat paramartesore po hyjnë ngadalë në fjalorin e çifteve moderne, jo si një shenjë ftohtësie apo mosbesimi, por si reflektim i një epoke që ka mësuar se dashuria nuk e zëvendëson nevojën për qartësi.
Ajo që dikur dukej si një zakon tipik për elitat perëndimore apo për martesat e famshme që përfundojnë në gjykata, sot po shihet gjithnjë e më shumë si një akt racionaliteti, një mënyrë për të negociuar të ardhmen përpara se emocionet ta bëjnë të pamundur arsyen.
Në vendin tonë, ideja e kontratës paramartesore ende përplaset me një kulturë që e sheh martesën si një marrëveshje morale dhe jo juridike. Megjithatë, realiteti ka filluar të ndryshojë. Çiftet martohen më vonë, shpesh pasi kanë ndërtuar pasuri, biznese, prona ose karriera të pavarura.
Gratë janë më të integruara ekonomikisht, burrat më të ekspozuar ndaj riskut financiar, ndërsa divorci ka humbur statusin e tij si tabu absolute. Në këtë kontekst, kontrata paramartesore nuk shihet më si një parashikim i dështimit, por si një formë sigurimi emocional dhe ekonomik.
Ligjërisht, Shqipëria e njeh këtë instrument. Kodi i Familjes lejon çiftet të zgjedhin regjimin pasuror përmes një kontrate të lidhur para ose gjatë martesës, duke dalë nga modeli standard i bashkësisë ligjore të pasurisë.
Pavarësisht kësaj hapësire ligjore, praktika mbetet e kufizuar. Kontratat paramartesore janë ende përjashtim, jo rregull, dhe përdoren kryesisht nga individë me interesa të qarta ekonomike, si sipërmarrës, emigrantë të kthyer me pasuri të krijuara jashtë vendit, apo persona që hyjnë në martesë të dytë.
Ajo që po ndryshon nuk është vetëm numri i kontratave, por diskursi rreth tyre. Në bisedat private dhe në zyrat e avokatëve, ideja e “rregullimit të gjërave që në fillim” po fiton terren. Frika se një kontratë e tillë cenon romantikën po zëvendësohet nga bindja se paqartësia është shumë më e rrezikshme se transparenca.
Në një shoqëri ku konfliktet pas divorcit shpesh zgjasin me vite dhe përfshijnë familje të tëra, prona, biznese dhe fëmijë, kontrata paramartesore po shihet si një mënyrë për të kufizuar dëmin, jo për ta institucionalizuar ndarjen./ Monitor










































