Google search engine
Home Sport Silvinjo shpalos filozofinë e tij për pragduelin me Letoninë: Ndeshje kyçe

Silvinjo shpalos filozofinë e tij për pragduelin me Letoninë: Ndeshje kyçe

0
146

Shqipëria do të presë sot në mbrëmje përfaqësuesen e Letonisë, në ndeshjen e radhës në grupin K eliminator për Kupën e Botës 2026, një ndeshje mjaft e rëndësishme e vendimtare për ecurinë e kuqezinjve këtë edicion kualifikues. Trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën dje në konferencë shtypi, ku dhanë përshtypjet e tyre në prag të kësaj sfide. Silvinjo pranoi se ka ftuar edhe lojtarë që s’kanë minuta por kjo nuk e shqetëson atë. “Ende nuk kam vendosur se kush do të jetë formacioni nesër. Do kemi ndryshime, si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe ne aspektin sulmues. Kemi edhe një seancë stërvitore. Formacionin do ta vendos nesër. Është gjithmonë moment i mirë nëse e ke në dorë situatën. Është një ndeshje kyçe me Letoninë, shumë e rëndësishme, duhet të përgatitemi të bëjmë një paraqitje të mirë, të luajmë 90 minuta dhe të tentojmë të fitojmë në këtë ndeshje. Siç e thashë edhe më parë, është një moment i mirë i Kombëtares, edhe nëse ka presion, kur ti e ke çdo gjë në dorë, është një moment shumë i mirë. Sigurisht që në futboll luan 11 kundër 11, çdo lloj rezultati ekziston, 1-1, 1-0, 0-0, por futbolli është i tillë. Zakonisht kur ke rezultat të mirë gjërat ndryshojnë dhe janë më të mira. Më shumë se të shqetësohem për lojtarët që nuk janë në listat e skuadrave të tyre për Europën, shqetësohem për ata lojtarë që kanë ndryshuar ekipin, trajnerin pasi ndryshon metodologjia. Nuk jemi në nivelin për të zgjedhur lojtarët që kanë më shumë minuta me skuadrat e tyre. Kam marrë lojtarë që në 6-7 ndeshjet e fundit ka luajtur zero minuta. Kjo nuk më shqetëson”, theksoi Silvinjo.

Analiza e rezultateve të skuadrës

Më tej trajneri brazilian i Kombëtares bëri një përmbledhje të rezultateve të deritanishme, duke përgëzuar skuadrën për lojën që ka bërë. “Ndaj Anglisë ishte një ndeshje e mirë, është e vështirë të luash ndaj saj në Wembley. Kur u kthyem në Shqipëri dhamë një performancë fantastike ndaj Andorrës, ndaj Serbisë ka qenë një nga paraqitjet më të mira për ne, por jo rezultati. Mund të kontrollosh performancën, por rezultatin kurrë. Sigurisht, sa më performancë të mirë të kesh, aq më e lehtë është të kesh rezultate. Ndonjëherë futbolli është shumë i vështirë. Në ndeshjen e fundit ndaj Letonisë në transfertë, nuk më ka pëlqyer performanca e ekipit 45 minutat e para. Bëmë disa gabime, nuk u vendosëm mirë në fushë, nuk e kuptuam mirë lojën 30 minutat e para dhe në këto raste e paguan shtrenjtë. Nëse do të shkosh në kampionatin botëror, nuk mund të dështosh, nuk ke kohë të bësh gabime. Pra, nuk më ka pëlqyer pjesa e parë ndaj Letonisë, as performanca nuk ishte e mirë”, nënvizoi ai.

Sulm me dyshen Asani-Broja

Silvinjo nuk dha detaje për formacionin, por përmendi Brojën dhe Asanin si mundësi në sulm. “E kam thënë gjithmonë që Kombëtarja është e hapur, më pëlqen kur vij dhe shoh lojtarë të rinj, kontrolloj sa kanë luajtur. Sa i takon Asanit dhe Brojës, janë dy lojtarë të ndryshëm në karakteristika, por shumë të mirë. Asani ka kaluar më shumë kohë me ne sa u takon këtyre tre viteve të fundit, sigurisht ka shënuar më shumë. Ndoshta një prej tyre mund ta nisë nga fillimi nesër”, përfundoi Silvinjo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here