Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka zbritur në aeroportin e Moskës. Ai u nis paradite nga Beogradi drejt Moskës, por u detyrua të ndalojë në Baku për të pritur lejen e vazhdimit të fluturimit drejt Rusisë, për shkak të luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, raportoi agjencia Tanjug.
Sipas planifikimeve, presidenti serb do të zhvillojë të premten në Moskë një takim bilateral me presidentin rus, Vladimir Putin, gjë që është konfirmuar edhe nga Kremlini.
Më 9 maj, Rusia shënon 80-vjetorin e fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, me një paradë në Sheshin e Kuq në Moskë dhe me një sërë manifestimesh të tjera.
“Presidenti Vuçiç zbarkoi në Moskë. Pra, çfarë do të bëjmë tani?
Kështu shkruan ish-kryeministrja serbe Ana Barnabic, në rrjetin social X, duke iu referuar komenteve në rrjetet sociale në ditët e mëparshme, si dhe titujve kryesorë të mediave opozitare, të cilat thanë se Vuçiç nuk ishte në gjendje të keqe shëndetësore, por “po kërkonte një justifikim për të mos shkuar në Moskë”.

“Po presim që grupet e presionit mediatik t’u kërkojnë falje qytetarëve të Serbisë që i kanë mashtruar, të pranojnë se janë të anshëm, joprofesionalë dhe të motivuar politikisht.
Duke folur për këtë, ata më në fund mund të pranojnë se Aleksandar Vuçiç e mban gjithmonë fjalën e dhënë”, shkroi ajo.