Google search engine

    Prapaskenat e lobimit të PD, miliona dollarë, kontrata misterioze dhe “patriotët” e Nju Jorkut

    0
    85

    Rigels Seliman

    Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka hedhur dritë mbi një nga skemat më të errëta të lobimit politik që përfshin Partinë Demokratike dhe një fondacion të dyshimtë në SHBA. Ajo akuzon se fondacioni i Nuredin Seçit është “lavatriçja e lekëve të korrupsionit” që po përdoret për të financuar në mënyrë të fshehtë një kontratë 6 milionë dollarëshe për lobimin e Berishës. Sipas Kokalarit, përdorimi i këtij fondacioni është bërë pikërisht për të mos zbuluar emrat e donatorëve, që ndryshe do duhej të bëheshin publikë. Ajo shpjegon se struktura ligjore e fondacionit është e tillë që fsheh burimin e parasë, duke anashkaluar transparencën dhe llogaridhënien.

    Kokalari thotë se kjo është një fyerje për shqiptarët patriotë të Amerikës, që kanë kontribuar realisht për Shqipërinë. Ndërkohë, ajo bën krahasimin mes strategjisë së dështuar të PD-së dhe suksesit të Edi Ramës në 2013, që punësoi “gurunë” Arthur Finkelstein. Sipas saj, Rama fitoi sepse përdori ekspertë të vërtetë të politikës globale, ndërsa PD po shpërdoron para me konsulentë pa ndikim. LaCivita, strategu i Berishës, nuk i afrohet as 1/100 nivelit të Finkelstein dhe kjo, sipas Kokalarit, është receta e humbjes. Megjithatë ajo e mbyll me një mesazh të qartë, se, Rama mund të rrëzohet vetëm me ekspertizë, jo me propagandë dhe “patriotë” të rremë.

    Kokalari zbardh skemën

    Konkretisht aktivistja Evi Kokalari vijon të hedhë akuza mbi lobimin e PD në SHBA. Berisha e cilësoi fondacionin që do paguajë paratë si të krijuar nga atdhetarët shqiptarë, por për Kokalarin do të jetë një lavatriçe pastrimi parash. “T’i referohesh fondacionit të Nuredin Seçit si fondacion ‘patriotësh’ është një ofendim shumë i madh për të gjithë komunitetin tonë në Amerikë, sepse ne të gjithë e kemi vuajtur jetën e emigrantit në kurriz përpara se të çoheshim në këmbë dhe të ishim në gjendje të ndihmonim Shqipërinë.

    Fondacioni i Nuredin Seçit është lavatriçe e lekut të korrupsionit që vjen nga Shqipëria dhe nuk ka asgjë të përbashkët me ne që luftojmë pikërisht këtë absurditet 33 vjeçar!!”, shkruan ajo në rrjetet sociale. Ndërkohë aktivistja Evi Kokalari tha se donatorët e 6 milionë dollarëve për lobimin e Sali Berishës në SHBA, nuk do të bëhen publikë. Sipas saj, kjo nuk do të ndodhë, pasi Berisha ka përdorur pikërisht një fondacion, që mos të publikohet burimi i vërtetë i parave. “Një sqarim meqenëse kam dëgjuar disa komentet nëpër median shqiptare nëse donatorët e fondacionit të Seçit do bëhen publike në Amerikë apo jo; E vetmja arsye që mund të përdoret një fondacion në lidhje me lobimet, është për të mbajtur privat donatorët, ose burimin e parasë.

    Shanset janë që fondacioni i Seçit është regjistruar si 501(c)4, që do të thotë se emrat e donatorëve nuk bëhen publike dhe kjo është forma e fondacionit që zakonisht përdoret për lobime. Në ndryshim me këtë, formacioni tjetër për një fondacion në Amerikë është 501(c)3, që zakonisht përdoret për bamirësi dhe donatorët bëhen publike nëse donacionet kalojnë shumën $50,000 në vit. Arsyeja e fondacionit të Nuredin Seçit është vetëm që të mbulohet burimi i parasë, ndryshe PD-ja mund të kishte paguar direkt siç kanë bërë më parë ose dhe vetë Seçi mund ta paguante personalisht Continental Strategy”, shkruan Kokalari.

    Berisha digjet me LaCivitën, Rama u ngrit me Finkelstein

    Por nuk ndalet me kaq, pasi Evi Kokalari, aktivistja shqiptaro-amerikane, e cila 4 vjet më parë u shfaq në krah të Sali Berishës, në betejën që ai zhvilloi për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka zbuluar se kush ishte ‘guruja’ amerikan që i siguroi fitoren Edi Ramës në vitin 2013 dhe si mund të rrëzohet Kryeministri, që synon mandatin e 4-t rradhazi në drejtimin e Qeverisë. Kokalari shkruan se në 2013-ën, Rama punësoi një nga konsulentët dhe strategët më me influencë të politikës jo vetëm në Amerikë, por dhe në Europë & Israel – Arthur Finkelstein. Dhe duke bërë një krahasim mes tij dhe Chris LaCivita që po drejton fushatën e PD-së në zgjedhjet e 11 majit, Kokalari shkruan se “LaCivita nuk është as 1/100 e Arthur Finkelstein profesionalisht, por dhe në lidhjet e tij me Republikanët.

    Arthur Finkelstein mbetet guru i fushatave elektorale dhe një nga strategët që do analizohet gjatë nga njerëzit e politikës”. “Edi Rama në një intervistë dje foli për një ish-konsulent të tij fushate nga i cili ka mësuar shumë. Për kë flet Rama? Në fushatën e 2013, Rama punësoi një nga konsulentët dhe strategët më me influencë të politikës jo vetëm në Amerikë, por dhe në Europë & Israel – Arthur Finkelstein!! Nga e di unë? Sepse dy asistentët e tij që zbarkuan në Shqipëri për 6 muaj plot gjatë fushatës, janë individë që i njoh mirë dhe janë marrë me fushatat e shumë Republikanëve të NY si për Kongres por dhe për zgjedhjet presidenciale të Trump, Ben Carlson, etj. Në fakt kur më kanë thënë në fillim që kanë bërë fushatën e Ramës, u shokova duke patur parasysh që Rama është i PS-së. Ndërkohë PD-ja lidhjet i kishte me Podestën dhe këta të partise demokratike në SHBA. Rama jo vetëm ishte shumë afër me Finkelstein por ai ishte nga të paktët që foli në varrimin e tij në 2017.

    Më vonë, në drekën pas varrimit ishte i ulur ngjitur me ish-governatorin Republikan të NY-ut George Pataki. Arthur Finkelstein ka qënë strategu i fushatës së Ronald Reagan, ka qënë shumë i rëndësishëm në përfundimin e Luftës së Ftohtë, dhe diskutimeve të Reaganit me Gorbaçov. Ai ka bërë fushatën e Viktor Orban dhe Benjamin Netanyahu. Ka fituar pa fund fushata elektorale për Republikanët në Amerikë, dhe pa asnjë frikë them se ka qënë një nga konsulentët më influencues të 50 viteve të fundit, aq shumë sa të gjithë dorëshkrimet e tij sot ruhen në Librarinë e Kongresit. Aq shumë sa sot shkruhen ese për fushatat elektorale në bazë të bëmave të Finkelstein. LaCivita nuk është as 1/100 e Arthur Finkelstein porfesionalisht por dhe në lidhjet e tij me Republikanët. Arthur Finkelstein mbetet guru i fushatave elektorale dhe një nga strategët që do analizohet gjatë nga njerëzit e politikës. E kam thënë më parë, që kampi i Ramës është shumë, shumë më i sofistikuar se ai i Berishës në shumë detaje – dhe Berishës ja kam thënë disa herë që i nevojitet një strateg super i aftë, dhe në mëndje kisha pikërisht nivelin e Finkelsteinit.

    Mos sofistikimi i Berishës duket qartë tek kontrata 6 millionshe që ka firmosur, një lek i shpërdoruar në menyrën më barbare. Sërisht, Berisha mund ti kishte zgjidhur problemet e njollave pa qënë nevoja e shpërdorimit të lekut në këtë formë, dhe fitoren do ta kishte të garantuar nëse LaCivitën nuk do ta sillte sa për sy e faqe në TV shqiptare, por me fokus maksimal në terren. Dhe Lacivita vet u shpreh që preferon të jetë i padukshëm në fushatë, siç ndodh me të gjithë konsulentët – përveç se nëse je në Shqipërinë e Berishës. Si përfundim, sofistikimi i Ramës mundet vetëm me një strategji të të njëjtit nivel si ai i Finkelsteinit ose më të sofistikuar se ajo që Rama ka mësuar prej tij, dhe ndoshta mënyra më e mirë është  pikërisht duke përdorur po të njëjtit individë që Ramës i mundësuan fitoren në 2013. Rama nuk luftohet me sharje dhe me kërcënime kanibaliste. Rama luftohet me fakte dhe ekspertizë elektorale”, nënvizoi Kokalari.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here