Regjistrimi që e “fundosi”? Juristi zbulon detajet: Me adresën në Durrës, Veliaj humbi mandatin në bashki

0
34

Ministria e Brendshme ka nxjerrë listën përfundimtare për vendvotimet e posaçme të politikanëve që ndodhen në burg, për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Nga ajo u vu re se Erion Veliaj nuk do të votojë pranë Parkut Olimpik në Tiranë, por është regjistruar si banor i Njësisë Administrative Durrës dhe do të votojë në burgun e Durrësit, nga ku do të duhet të bëjë zgjedhjen e tij mes listave të qytetit bregdetar.

Në lidhje me këtë fakt, ka ardhur dhe një reagim nga juristi pranë PD-së, Marash Logu, i cili në një postim në rrjetet sociale thotë se tashmë Erion Veliaj e ka humbur zyrtarisht mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Deklaratën e tij ai e bazon tek neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Sipas Marash Logut, Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Erion Veliaj humbet mandatin e kryetarit të Bashkisë Tiranë!

Neni 61, pika 1, gërma “c”, e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur. Duke qenë se tashmë Erion Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here