Eridan Veliu është një nga personat, pasuria e të cilëve është konfiskuar nga SPAK. 51-vjeçari në fakt përmendet në gjyqin e Sky ECC në Belgjikë, ku u gjykuan 124 persona në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Sipas të dhënave, Eridan Munoz Guerrero, mbiemri i gruas kolumbiane, është kreu i një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës dhe është dënuar me 14 vite burg.
Hetimi për dosjen “Encro” dhe “Sky ECC” nisi në verën e vitit 2020 kur brigada e zjarrfikësve duhet t’i përgjigjet një zjarri në dukje të padëmshëm në një apartament në Bruksel. Pasi flakët janë shuar, zjarrfikësit dhe policët përplasen në një laborator të vogël kokaine. Në pamje të parë duket gjithçka veçse profesionale, por asgjë nuk është ashtu. Kjo ishte nisja e një hetimi për atë që shumë shpejt rezultoi të ishte organizata më e madhe e drogës në Belgjikë.
Operacioni kryesor u zhvillua më 21 tetor 2021, me kontrolle të njëkohshme në 114 vende në të gjithë Belgjikën, për të cilat u vendosën në dispozicion 1100 oficerë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 32 ton kokainë dhe shuma të mëdha parash, por edhe prona, dhjetëra makina, armë dhe produkte luksoze. Ndërkohë edhe SPAK në Shqipëri ka sekuestruar asete të Eridan Guerreros. Sipas informacioneve, një pjesë e parave të kësaj organizate rezulton të jenë transferuar apo investuar në Shqipëri.
“Kam qenë në krye të një organizate kriminale, kam marrë pjesë në trafik droge. Kam luajtur dhe kam humbur”, tha Eridan Veliu gjatë seancës së parë në Belgjikë.