KLSH kërkon shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Drejtoreshës së “Buxhetit”

0
53

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) i ka shpallur luftë paligjshmërisë nëpër dikastere dhe fusha të ndryshme, duke dëshmuar se është një institucion serioz. Gazeta “SOT” ka mësuar se KLSH ka kërkuar që Erzen Tola, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Ish/drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore për Arsimin dhe Sportin, dhe në rolin e Kryetarit të STP të largohet nga shërbimi civil. Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon që të merren masa disiplinore për disa zyrtarë të tjerë.
Ja dokumenti i KLSH për MAS

MASA DISIPLINORE
Mbështetur në nenin 59, pika 4, shkronja “a” dhe “b”, të ligjit nr. 152/2013, datë 30.05.2013, “Për nëpunësin civil” i ndryshuar dhe VKM nr. 115, datë 05.03.2014, “Për përcaktimin e procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në komisionin disiplinor në shërbimin civil”, I rekomandojmë Ministrit të Arsimit dhe Sportit në vlerësim të parregullsive të konsideruara nga ana jonë, sipas pikës 1 shkronja “a” dhe “b” të nenit 57 të ligjit nr. 152/2013, të urdhërojë fillimin e procedurave përkatëse për shqyrtimin dhe dhënien e masave disiplinore për personat përgjegjës në procesin e mbështetjes financiare të studentëve të shkëlqyer dhe nëpunësve civilë të administratës shtetërore dhe për mos kryerje të detyrave funksionale në kohë dhe inicimin me vonesë ose fare të proceseve gjyqësore për kthimin e lekëve të marra nga përfituesit e Fondit të Ekselencës në buxhetin e shtetit në shkelje të detyrimeve kontraktuale, të trajtuara në mënyrë të detajuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit, në proporcion me shkeljet sipas nenit 58, shkronja “b”,”c” dhe “ç” të ligjit. nr. 152/2013, datë 30.05.2013, “Për nëpunësin civil”, e konkretisht:

PËR PUNONJËSIT NË MARRËDHENIE PUNE
1. Z. Erzen Tola Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ish/drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore për Arsimin dhe Sportin, dhe në rolin e Kryetarit të STP, sipas urdhrit të Ministrit të MAS, nr. 194, datë 19.05.2015, Largim nga shërbimi civil sipas nenit 58 pika ç;
2. Znj. Voltisa Koçi, Drejtori i Drejtorisë së Programimit, Standardizimit dhe Harmozimit të Kuadrit Rregullator, Vërejtje sipas nenit 58 pika a;
3. Znj. Zamira Gjini, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit për Arsimin dhe Sportin, Vërejtje sipas nenit 58 pika a;
4. Znj. Ermelinda Durmishi, Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Vërejtje sipas nenit 58 pika a;
KLSH “trondit” qeverinë
Ndërkohë tensione ka pasur dje në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë në lidhje me raportin e KLSH ku i është kërkuar Ministrisë së Financave shkarkimin nga detyra të Drejtoreshës së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, si dhe masë disiplinore dhe për katër zyrtarë të tjerë. Deputeti Eduart Shalsi e ka konsideruar një këtë pjesë të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, skandaloz. Ai ka kërkuar ballafaqim mes Dhëmbit dhe KLSH. “E kemi kërkuar sepse Moza Dhëmbi nuk është person dosido. Ndaj e kemi ftuar në komision. Në dijeninë tonë nuk ka precedent të tillë për një punonjëse me një formulim të tillë”, tha Shalsi. Ndërsa, Arben Shehu u shpreh se për të, “Drejtoresha Dhembi është si të gjithë zyrtarët e tjerë”.

Pjesë nga debati
Arben Shehu: Kjo situatë nuk ka lidhje me detyrimin tonë për të raportuar për këtë çështje. Është një precedent i pabazë ligjërisht për të thirrur të gjithë punonjësit e administratës për pretendimet e tyre.
Eduard Shalsi: Ku bazoheni që nuk thoni që është i bazuar ligjërisht.
Arben Shehu: Ne kemi detyrim raportimin vjetor, jo çështje të tjera.
Eduard Shalsi: Është i vërtetë që nuk është i ndodhur ky precedent, por në dijeninë time KLSH kurrë nuk ka një raport të tillë.
Arben Shehu: Jemi të vlerësimit, që kjo nuk është pjesë e detyrimit për të raportuar. Kërkoj të rishikoni vendimin tuaj, kjo do t’i shërbejë edhe ecjes përpara në bashkëpunimin institucional, për të përmirësuar ecurinë e punës.
Eduard Shalsi: Ajo nuk do të vendoset në siklet.
Mimoza Dhëmbi: Kam filluar punë që më ’92, dhe kam ndërruar 15-16 ministra.
Eduard Shalsi: Keni pasur raste të tjera ku janë marrë masa përballë jush
Mimoza Dhëmbi: Po është hera e parë, me KLSH-në kemi pasur bashkëpunim dhe ballafaqim deri në produktin final.
Eduard Shalsi: Si jeni ndjerë, jeni njohur paraprakisht për këtë raport të KLSH?
Mimoza Dhëmbi: Ka qenë surprizë për ne, kemi marrë raportin paraprak, dhe ishim të bindur që raporti vjetor s’do kishte surpriza. Ndërkohë që ishim në pritje të ballafaqimit, këtë vit ai nuk u bë. Flasim për tetorin e 2023-shit, kur u bë buxheti faktik i 2022.
Gjini: A keni pasur kontakte me KLSH-në për konstatimet?
Mimoza Dhëmbi: Jo!

Erjon Braçe: Nëse unë kam një rezervë për atë që është thënë për drejtoreshën e buxhetit është që zyrtarët politik për ushtrimin buxhetor të mos fshihen por të mbajnë përgjegjësi. Është e thjesht të bësh përgjegjës një zyrtar të çdo niveli. E para është përgjegjësi politike. Zbatimi i tij është mirëfilli akt ligjor, por për fakt është dhe akti politik.
Çfarë kërkoi KLSH për Mimoza Dhëmbin?

RAPORT PËRFUNDIMTAR AUDITIMI NË MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË “AUDITIM I PËRPUTHSHMËRISË (tetor 2023)
-“Largim nga shërbimi civil” neni 57, pika 2 dhe neni 58 germa (ç) e ligjit nr. 153/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar:
1. Për znj. M. DH., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit:
– Për problematikat në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, në kundërshtim me kërkesat e LOB-it, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, problematika në lidhje me procesin 398 e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA, shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura, mungesën e monitorimit të stokut të detyrimeve të prapambetura, pasi nuk raportohet në vlerën e saktë dhe mbetet jashtë treguesve të konsoliduar fiskalë, gjenerimi i penaliteteve nga mos ekzekutimi në kohë i vendimeve të GJEDNJ; për përdorimin e fondit rezervë për rastet që duhet të përfshihen në ciklin normal të shpenzimeve referuar kriterit të parashikueshmërisë dhe dhënien e mendimit të MFE në kushtet e mungesës së dokumentacionit shoqërues të projekt akteve, duke ekspozuar cënueshmërinë e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave; rishikimeve buxhetore përtej afateve të përcaktuara në kuadrin rregullator në fuqi dhe pas periudhave kur është mbyllur raportimi i treguesve fiskalë faktikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here