Orkestra e RTSH-së nën dirigjimin e Zhani Cikos në koncertin kushtuar Nikolla Zoraqit, në skenë dhe Tedi Papavrami

0
51

Koncerti “Profil solistik” i kushtohet kompozitorit të njohur Nikolla Zoraqi. Këtë mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së nën dirigjimin e maestro Zhani Cikos vjen me një program të pasur muzikor, por sjell në skenë dhe disa prej artistëve më të njohur në fushën e muzikës. Koncerti me rastin e 95-vjetorit të lindjes së kompozitorit Nikolla Zoraqi sjell në skenë violinistin e njohur Tedi Papavrami, ndërsa pjesë e tij janë dhe të tjerë artistë të njohur me aktivitetin e tyre muzikor si Fatos Qerimi (klarinetë), Jonela Golemi (flaut), Suela Piciri (violinë) dhe Adelina Paloja (soprano).

Programi muzikor i koncertit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit përmban: Uvertura Nr. 3 “Heroike”; “Mall dashurije”- romancë; “Fishekzjarrët” Prelud për flaut; Koncert për orkestër dhome dhe violinë; “Nokturn”; opera “Fundi i Golemëve”- Monologu i Marës; “Poemë” për violinë; “Kaba” Nr.1 për orkestër simfonike. Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh” vjen si dirigjent në këtë koncert në vijim të një aktiviteti shumë të vlerësuar artistik brenda dhe jashtë vendit, ku këtë mbrëmje Orkestra Simfonike e RTSH do të jetë nën drejtimin e tij. Violinisti Tedi Papavrami ka një aktivitet të vlerësuar ndërkombëtar, ndërsa herë pas here ka qenë me koncerte dhe në Tiranë, por do të jetë në skenë sërish këtë mbrëmje për publikun.

Nikolla Zoraqi kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës

Nikolla Zoraqi (Tiranë, 24 janar 1929 – 1991) ka qenë kompozitor shqiptar, i cili gjatë karrierës së tij dha një kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës së re shqiptare. Kompozitori, Nikolla Zoraqi, radhitet ndër ato figura që kanë dhënë një kontribut të çmuar për kulturën shqiptare. Një kompozitor me një diapazon të gjerë krijues, ai ka krijuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore, që janë luajtur në aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare, dhe janë vlerësuar me çmime të shumta. Kompozitor i njohur, autor i mjaft pjesëve dramatike për solist, kor e orkestër, shumë baladave, operetave për fëmijë, bashkë me 6 uvertura, 6 koncerte për violinë dhe orkestër, 4 balete, 30 opera etj. Provoi thuajse në të gjitha gjinitë muzikore, që nga kënga tek opera, nga miniatura instrumentale tek koncerti, baleti e simfonia.

Në të gjitha këto gjini pati arritje të rëndësishme. Ashtu si ndodhi rëndom në periudhën kur ai krijoi, një vëmendje të veçantë Zoraqi i kushtoi krijimit të një muzike me karakter të theksuar kombëtar, në krijimin e karaktereve shqiptare e të figurave të rëndësishme kombëtare. Këtu mund të përmendim vepra të tilla si “Komisari”, “Shota e Azem Galica”, “Cuca e maleve”, “Gjorg Golemi”, etj. Kompozitori Nikolla Zoraqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, ndër të cilët çmimi i Republikës për baletin “Cuca e Maleve”, titulli “Artist i Merituar” dhe titulli “Artist i Popullit”. Kompozimet e tij janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Orkestra e Simfonike e RTSH-së, Orkestra e Akademisë së Arteve dhe nga trupa të ndryshme korale dhe instrumentale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here