Egnatia një hap larg historisë, eliminon Vllazninë dhe i bashkohet Partizanit në finalen e madhe të titullit kampion

0
57

Egnatia-Partizani do të jetë finalja e madhe e futbollit shqiptare nga ku do të dale edhe kampioni i këtij edicioni.  Pas suksesit në Kupë, Egnatia vë në jetë një tjetër kryevepër duke synuar tani “dopietën” e famshme. Ekipi i Tetovës kalon Vllazninë në gjysmëfinalen e “final-four, falë renditjes më të mirë pasi 90 minutat përfunduan në barazim pa gola. Në finalen e madhe më 26 maj, Egnatia do të përballet me Partizanin. Në “Air Albania”, në një atmosferë pozitive, dy ekipet zhvilluan dje një sfidë spektakolare, me shumë raste për shënim. Egnatia-Vllaznia luajtën një futboll ofensiv që nga minuta e parë. Rasti më i mirë në fraksionin e parë erdhi në minutën e 18-të, me Zejnullain që dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur, por dy minuta më pas, gjyqtari i takimit pasi shqyrtoi aksionin me VAR anuloi gjithçka për faull në sulm, për prekje të topit me dorë. Pas këtij momenti, Vllaznia mori kontrollin e lojës duke zhvilluar një presion asfiksues në zonën e Egnatias, por pa mundur të gjejnë prekjen fituese. Historia ndryshoi në fraksionin e dytë, me Egnatian që ishte më kërcënuese. Në minutën e 52-të portieri Qarri bëri mrekullinë duke devijuar goditjen e Zejnullait. Dhjetë minuta më pas, ishte Fernando që flirtoi me golin, por goditja e tij përfundoi mbi kuadrat. Pak minuta më pas, Egnatia gjen sërish rrugën e rrjetës me Ibrahimoglu, por goli nuk ishte i vlefshëm, i vlerësuar në pozicion jashtë loje. Vllaznia tentoi në minutat e mbetura të shënonte golin e fitores, por Balaj dhe pjesa tjetër e ekipit shkodran ishin të pasaktë, duke bërë që në finalen e madhe të titullit të kalojë Egnatia falë renditjes më të mirë në sezonin e rregullt.

Laçi mund Flamurtarin

Nga ana tjetër, Flamurtari nuk ia doli as këtë herë të ngjitet në Kategorinë Superiore. Edhe pse mundi të kalojë rivalët në “play-off” të Kategorisë së Parë, skuadra vlonjate u ndal dje në duelin final me Laçin, në një ndeshje të rivalizuar por edhe të tensionuar. Pra Laçi mbetet në Superiore, pasi mundi Flamurtarin pas 120 minutash lojë me rezultatin 3-1. Laçi e mbylli renditjen e Superiores në vend të tetë dhe në bazë të rregullores ky pozicion shkon në “play-out”, ku ndeshet me ekipin që ka siguruar vendin e tretë më të mirë në Kategorinë e Parë, një pozicion i dalë nga “play-off” në këtë kategori. Flamurtari kishte eliminuar fillimisht Korabin, pasi barazimi 0-0 mes tyre favorizoi ekipin vlonjat për renditje më të mirë. Më tej mundi të eliminojë Apoloninë pasi e mundi 1-0, e dje u përplas me Laçin në duelin e fundit. Ndeshja e rregullt 90-minutëshe u mbyll në barazim 1-1, ku fillimisht shënuan kurbinasit në minutën e fundit të pjesës së parë me Uilliam, kurse vetë laçianët shënuan autogol me Dajkon në minutën e 64-t. Me këto shifra, 1-1, mbyllet ndeshja e rregullt 90-minutëshe. U luajt shtesa 30-minutëshe e cila solli dominimin e Laçit. Kurbinasit shënuan dy gola në kohën shtesë, fillimisht me Uilliam në minutën e 109-të, e më pas me Mjakin në minutën e117-të. Me rezultat 3-1 të drejtën e qëndrimit në Superligë e merr Laçi, kurse vlonjatët duhet të mendojnë për këtë objektiv gjatë sezonit të ardhshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here