Opera “Madama Butterfly” e cilësuar si kryevepra e Puçinit do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra operistike do të vijë në skenë si produksion i ri i “Festival Puccini di Torre di Lago”, me një koncept të veçantë regjisorial nga Manu Lalli, ku personazhet e saj do të interpretohen nga artistë të njohur të skenës sonë, por dhe asaj të huaj. Ndërsa prej disa ditësh artistët po zhvillojnë provat për të sjellë këtë sezon artistik këtë vepër në skenë, TKOB shprehet se kryevepra e Puccini-t “Madama Butterfly” rikthehet pas më shumë se një dekade, si një produksion i ri i “Festival Puccini di Torre di Lago”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. “Me një koncept të veçantë regjisorial, nga Manu Lalli, me në qendër: Natyrën e gruas, që është e harlisur dhe e pafajshme, e cila vdes nga mungesa e kujdesit, vëmendjes dhe dashurisë; Planetin “e torturuar” që parashikon afrimin e këtij fundi pa asnjë ndërhyrje hyjnore, me libret të Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa, kjo opera trajton probleme shoqërore të rëndësishme, të cilat demaskojnë moralin e shoqërisë”, thuhet nga TKOB. Dirigjent i orkestrës së TKOB është Jacopo Sipari di Pescasseroli. Në role përmendim sopranot e njohura Anna Pirozi dhe Eva Golemi, tenorin Klodjan Kaçani, ku dhe tjerë artistë pritet që të jenë gjatë pesë mbrëmjeve që “Madama Butterfly” do të jetë në skenë. Sopranoja Eva Golemi në repertorin e së cilës numërohen 36 role në veprat e ndryshme operistike, me një karakter të fortë që spikat fuqishëm në çdo rol që ajo interpreton ka qenë dhe më parë në skenë me Madama Butterfly.
“Madama Butterfly” në skenë
“Madama Butterfly” është një opera në tre akte nga kompozitorit italian Giacomo Puccini, me libret shkruar nga Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica, përcaktuar në partiturë dhe në libret “tragjedi japoneze” dhe dedikuar mbretëreshës së Italisë Elena e Malit të Zi. Premiera u shfaq në Milano në Teatro alla Scala, më 17 shkurt 1904. Geisha e bukur 15-vjeçare i qëndron besnike togerit amerikan Pinkerton dhe shpreson se ai do të kthehet në krahët e saj. Ndonëse kanë kaluar tre vjet nga ikja e tij, Butterfly tashmë nënë e një djali, fryt i martesës me Pinkerton, refuzon të nisë një jetë të re dhe ta harrojë të dashurin e zemrës. Ky i fundit, i martuar me një grua amerikane, kthehet në Nagasaki që të marrë të birin 3-vjeçar. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, Butterfly ia dorëzon djalin atij dhe vret veten. Vepra e Puçinit, një nga veprat më të luajtura në skenat e botës në repertorin operistik dhe vjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në mbrëmjet e datave 26, 27, 28, 30 maj, si dhe 1 qershor. Opera “Madama Butterfly”, vepër e një prej kompozitorëve më të mëdhenj italian të melodramës, Puccini është vënë për herë të parë më 29 mars të vitit 1961 në skenën e TKOB. Giacomo Puccini (Xhakomo Puçini) lindi më 22 dhjetor 1858 dhe vdiq më 29 nëntor 1924, njihet si një nga kompozitorët operistikë më të mëdhenj të fundshekullit XIX.