Artur Meçollari paralajmëron zhvillime të forta, SPAK përfundon hetimet për dosjen për grabitjen e pronave në ushtri, të rrezikuar zyrtarë të lartë, ja faktet që fundosin Xhaçkën, presidentin Begaj

0
30

Kapiten i rangut të parë, Artur Meçollari ka folur për padinë e tij të bërë në SPAK për pronat ushtarake. Në mars të vitit 2021 ish-zëvendës shefi i Forcave Detare, zoti Meçollari, ka akuzuar të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ish-ministren e Mbrojtjes asokohe, Olta Xhaçka, presidentin Begaj dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Bardhyl Kollçaku  se janë përfshirë në zullume sa i takon tjetërsimit të pronave të ushtrisë. Sot që flasim Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po heton aferën me pronat e ushtrisë, ndërkohë që në një reagim  për gazetën “SOT”, zoti Meçollari ka paralajmëruar se kjo çështje do të shkaktojë tërmet, pasi siç thotë ai, dosja është kopsitur, teksa të rrezikuar janë politikanë, kolonelë dhe gjeneralë. “Nga informacionet që kam unë, së fundmi janë thirrur në SPAK shumë zyrtar të lartë, dy-tre javët e fundit. Nga informacionet që kam unë, çështja e hetimit të bazës detare e Limionit të Sarandës është pothuajse në përfundim të hetimeve. Mund dhe të ketë përfunduar por ka qenë deri para pak kohësh në përfundim të saj. Në lidhjen e kontratës ka një konflikt midis propozimit të bërë nga investitorët dhe kushteve të lidhjes së kontratës. Roli i Olta Xhaçës është që në shkelje të ligjit ka lejuar dhënien me qira të bazës së Sarandës, njëkohësisht kjo është e shënuar dhe në vendimin e Gjykatës. Njëkohësisht pa pyetur Forcën Detare ka lejuar realizimin e kontratës së Marina Limion për ndërtimin e Portit Turistik. Ish-shefi i shtabit ka propozuar të dyja kontratat te ministri i Mbrojtjes pa pyetur Forcën Detare dhe pa bërë një studim të cilin e bën vetëm Shtabi i Përgjithshëm. Mesa mbaj mend unë, Niko Peleshi është pyetur në Parlament në lidhje me këtë çështje por mbaj mend që ka bërë një deklaratë të tillë në Parlament dhe kuptohet që dorëzimi i bazës është bërë në kohën që Niko Peleshi ishte ministri i Mbrojtjes. Dorëzimi i bazës së Sarandës ka nisur me një akt të ish-shefit të shtabit të  Përgjithshëm, aktualisht President i Republikës në datë 18 Gusht 2020, i cili i ka kërkuar Forcës Detarë të bëj dorëzimin e bazës, Forca Detare nuk ka pranuar ta dorëzojë bazën, ka qenë disa ditë pas shkarkimit tim nga detyra. Në Mars të 2021, po me një shkresë të shtabit të Përgjithshëm, Bajram Begaj është kërkuar dorëzimi i bazës. Më pas dorëzimi ka ardhur në fund të vitin 2022, pas një kontrate të lidhur nga Komanda e Forcës Detare. Njëkohësisht, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bajram Begaj ka urdhëruar në Maj 2020, Komandën Logjistike që t’i vë në dispozicion Forcës Detare, mjetet e transportit për lirimin e bazës”, tha ndër të tjera Meçollari.

Rama i rrezikuar?

Gjithashtu, Z.Meçollari përmend edhe faktin se ka informacione të sigurta se kryeministri Rama është paralajmëruar nga amerikanët në lidhje me bazën detare të Limionit. “Ambasada e SHBA që prej Nëntorit 2020, i ka deklaruar kryeministrit Edi Rama në zyrën e tij që të heq dorë nga baza detare e Sarandës, këtë e di të saktë. Njëkohësisht pse kryeministri? Sepse, në gjykimin tim është një ekspozim i keq i kryeministrit në lidhje me këtë çështje dhe dyshoj që 2 janë arsyet: a.) Për shkak të interesit direkt që mund të ketë për shkak të lidhjeve me personat e përfshirë dhe firmat dhe b.) Kryeministri kur të mbyllet çështja nuk ka alibi të thotë më hëngrën kumbulla e dardha pas kurrizit sepse në lidhje me bazën detare të Limionit është vënë në dijeni nga ambasadorja Yuri Kim”, u shpreh ai.

Humbjet financiare dhe zaptimi i pronës

Po ashtu Meçollari ka zbuluar dhe dëmet financiare që i janë shkaktuar shtetit shqiptar nga zaptimi i pronës. “Askush nuk dëshiron të shërbejë nën uniformë për të pasuruar drejtuesit e tij. Deri tani dëmi financiar është 1,8 milion Euro, nga të cilat 1/3 e shkaktuar nga ish Shefi i Shtabit Barjam Begaj dhe 2/3 nga ai aktual Arben Kingji. 10% për secilën pjesë llogaritet vetë. Prona nr. 219 është zaptuar prej tre vitesh nga Porti MBM dhe dy shefa të Shtabit të Përgjithshëm të FA nuk pranojnë ta lirojnë sipas parashikimit të ligjit për Policinë Ushtarake. As Forca Detare nuk ka bërë kërkesë për lirim forcërisht nga Policia Ushtarake. Përtej zaptimit me forcë, shkatërrimit të pronës, të monumentit të Luftës së Dytë, murit antik, etj që përbejnë vepër penale, ka dhe një dëm financiar të shkaktuar. Në vitin 2020 Porti MBM ka bërë kërkesë për ta marrë ne qira këtë pronë nr. 219 prej 52.000 m², dhe VKM .54 parashikon çmim tavan deri 1 Euro për m² dhe objekte deri 2 Euro. Por, nuk e mori se i dilte më lirë me Barjam Begajn dhe Arben Kingjin. Pra, vetëm nga mos pagesa e tarifës për tre vjet, shtetit i është shkaktuar një humbje totale prej 1,8 milion Euro, nga të cilat 0,6 milion Euro nga moszbatimi i ligjit nga Barjam Begaj dhe 1,2 milion Euro nga Arben Kingji”, shprehet Meçollari ndër të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here