Dy drejtues të lartë policie deponojnë në SPAK në orët e vona të natës, përgjimet e “Sky” dhe “Enchro Chat” rrezikojnë të çojnë në qeli kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit

0
24

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) duket se ka thelluar hetimet sa i takon përfshirjes dhe bashkëpunimit të efektivëve të policisë dhe kupolës së kësaj organizate me personazhe të botës së krimit të organizuar, si vrasës me pagesë, baronë e trafikantë droge dhe kriminelë. Konkretisht gazeta “SOT” ka mësuar se dy drejtues të lartë, pjesë e kupolës së Policisë së Shtetit që kanë rënë në përgjime me kriminelë në aplikacionet “Sky” e “EnchroChat” dhe që kanë dijeni për këtë megaskandal, kanë përfunduar në orët e vona të natës së kësaj të enjte në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas burimeve, ata janë marrë në pyetje sa i takon këtij skandali të paprecedentë (kanë deponuar), duke bërë që përveçse vendit të punë, ata dhe të tjerë anëtarë të kupolës së Policisë së Shtetit rrezikojnë edhe burgun. Pra duket qartë se dosja voluminoze që sollën në SPAK prokurorët francezët e belgë do të çojë në pranga dhjetra punonjës policie, ndërkohë që të rrezikuar janë edhe zyrtarë të lartë, ministra, deputetët, kryetar bashkish, drejtues bankash, pronar mediash dhe gazetarë. Kjo pasi arrestimi i biznesmenit Pëllumb Gjoka, kryeprokurorit të Kukësit Xhevahir Lita dhe ish-drejtuesit të Forcave të Posaçme Operacionale, Oltian Bistri, është vetëm maja e ajsbergut të një hetimi të gjerë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në lidhje me zyrtarë të lartë që kanë kontakte me njerëz të botës së krimit. Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate ku krimi është bërë njësh me shtetin dhe politikën, pritet që të kemi një furtunë të madhe në Shqipëri në të gjithë sektorët, veçanërisht në radhët e Policisë së Shtetit. Thënë troç javët në vijim duket se do të jenë të nxehta jo vetëm për politikën, por edhe për Policinë e Shtetit. Është koha që drejtësia e re në vendin tonë të sprovohet pikërisht me një nga organizatat kryesore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikundër është Policia e Shtetit.

Paralajmërimi

Por kërcënimin se në momentin që këta bashkëpunëtorë të krimit do të ekspozohen, natyrisht që do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen në detyrat që mbajnë në radhët e Policisë së Shtetit, e ka bërë më herët publikisht edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili paralajmëroi një furtunë në Policinë e Shtetit. Balla theksoi se çdo punonjës policie që ka pasur një profil apo akses në rrjetet “EncroChat” apo “Sky ECC” do të përjashtohet nga radhët e kësaj strukture. Të dhënat e para, sipas tij, janë se ka disa, por hetimet vazhdojnë. “Në këto 30 e kusur vite ka pasur dhe ka punonjës policie të cilët rezultojnë të jenë të përfshirë ose në kontakte me botën e krimit dhe duhet të ju informoj se i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që ne të kemi informacionin sa shpejt të jetë e mundur dhe po e them këtu në Kuvendin e Shqipërisë që për çdo punonjës Policisë së Shtetit, i cili do të rezultojë të ketë pasur akses në rrjetet komunikimi qoftë ‘Sky’ apo ‘Encro Chat’ do të përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë një aktivitet kriminal, por thjesht dhe vetëm fakti që ka aksesuar një rrjet të tillë, kjo është pjesë e angazhimit tim që ditën e parë të punës që lidhet me Kodin Etik të Policisë së Shtetit. SPAK po zhvillon hetime të thelluara dhe besoj se shumë shpejt do të kemi disa rezultate konkrete, ku do të vetëpastrohet jo vetëm policia prej tyre, por edhe shoqëria”, deklaroi Balla.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se grupet kriminale shqiptare kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’iu shmangur autoriteteve ligjzbatuese. Ata përdornin disa aplikacione që janë pa server, të tilla si “Matrix”, “Sky”, “EnchroChat”, të cilat nuk mund të gjurmohen dhe e lënë “anonim” përdoruesin. Kështu aplikacionet i japin mundësi krimit të komunikojë në distancë i pa shqetësuar se aktiviteti i tyre mund të zbulohet. Megjithatë gjatë viteve të fundit disa vende europiane dhe agjenci ligjzbatuese arritën të thyenin aplikacionet “EnchroChat” dhe “Sky”. Qindra persona u arrestuan në Holandë dhe Belgjikë. Këto dy aplikacione rezulton se janë përdorur nga rreth 230 mijë persona në mbarë botën. Në duart e hetuesve tashmë janë miliona mesazhe me sfond kriminal. Së fundmi prova e Prokurorisë së Posaçme shqiptare (SPAK) që çoi në pranga një prokuror dhe ish-shefin e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, ishin informacione të përcjella nga autoritetet franceze, belge e holandeze të drejtësisë, bisedat e të dyshuarve në platformat dikur të pagjurmueshme “Sky” dhe “EncroChat”. Me besimin e një komunikimi të sigurtë, anëtarët e grupit kriminal kanë marrë e dhënë porosi për vrasje, planifikuar krime, si edhe raportuar realizimin e tyre në kohë reale. “U kry”, ishte një nga këto mesazhe, ku i tregohej të tjerëve se vrasja ishte realizuar me sukses.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here