Zgjedhjet lokale të 14 majit, ikin 6 deputetë të PD-PS për të kandiduar si kryetarë bashkie, ja emrat që pritet të veshin kostumin e ligjvënësit

0
111

Plot gjashtë deputetë pritet të dorëzojnë mandatin brenda kësaj jave, në mënyrë që të hënën të mund të regjistrohen si kandidatë për kryetarë bashkie pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit. Partia Socialiste do të sakrifikojë vetëm dy ligjvënës për të provuar fitore lokale në Shkodër dhe në Gramsh. Riskun më të madh e ka marrë Benet Beci i cili po ngulmon të fitojë një bashki të cilën socialistët nuk e kanë fituar kurrë. Por largimi i tij risjell në skenë Ilir Beqajn. Ai do të marrë një biletë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’u rikthyer në Kuvend, sepse është kandidati i 4-t më i votuar. Ky rezultat e la jashtë Parlamentit në vitin 2021, ku Beqaj u bë i vetmi drejtues politik qarku i PS-së që nuk siguroi dot karrigen e tij. As tani, nuk është e sigurt nëse ish-ministri do të rifutet në Parlament. Në qarqet politike po diskutohet se një tjetër kandidat e aspiron mandatin dhe ai është Kabir Fishta. Që djali i biznesmenit të zonës të hyjë në Parlament, duhet të mandatin ta refuzojë, jo vetëm Beqaj, por edhe pasuesi Frrok Gjini. Në qarkun Shkodër do të ketë ndryshime deputetësh edhe nga Partia Demokratike. Sali Berisha ka konfirmuar kandidimin e Zef Hilës për Vaun e Dejës, duke i siguruar një mandat Ludovik Hasanit, teksa Bardh Spahia do ta refuzojë mundësinë për tu ribërë deputet, në përpjekje për të mbajtur bashkinë. PD-ja zyrtare mund të kandidojë në Malësi të Madhe deputetin Ramadan Lika, gjë e cila ende nuk është konfirmuar, por nëse ndodh, kjo do të rikthente në Parlament Izmira Ulqinakun. Në Elbasan, PS do të ketë deputet të ri Shkëlqim Bullarin, i cili zë vendin e Besjan Ajazit që do të garojë për Gramshin. Vendi i Luciano Bocit që për llogari të Foltores garon në Elbasan, do ta zërë Qani Xhafa. Nëse lëvizjet për socialistët nuk kanë ndonjë domethënie të madhe, prurjet e reja nga lista e demokratëve lënë vend për monitorim se në cilin kamp do të anëtarësohen ata: në Seli me Berishën, apo tek Alibeaj ku është vula.

PS do të ketë gati të shtunën listën e garuesve për zgjedhjet vendore

Ndërkohë, kujtojmë se dy ditë më parë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur se ditën e shtunë PS do të ketë gati të gjithë garuesit për zgjedhjet vendore 2023. “Sipas asaj traditës së rregullt të PS, ne do të kemi të shtunën mbledhjen e Kryesisë ku do të kemi një diskutim për secilën kandidaturë. Kemi bërë proces shumë të gjatë, sepse ne kemi shumë punë, ne nxjerrim kryebashkiak nuk nxjerrim thjesht kandidat. Deri të shtunën do i kemi të gjithë gati”, deklaroi Balla. Qerim Ismailaj për Mallakastrën dhe Armando Subashi për Fierin janë konfirmuar si kandidatë të Partisë Socialiste për 14 majin. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një komunikim për mediat tha se Qerim Ismailaj do rikandidojë në Mallakastër pasi sipas tij nuk ka asnjë vendim gjykate që e ndalon këtë. “Nëse një qytetar shqiptar gjatë kohës në emigracion është dhunuar apo ka pasur një problem që nuk ka asnjë lloj dënimi për një vepër penale, janë çështje që çdo qytetar shqiptar në emigracion i ka vuajtur. Sot në SPAK janë thirrur shumë persona edhe drejtuesit më të lartë të politikës. Zoti Bushi është thirrur në SPAK si person që ka dijeni për një çështje. Tani sipas jush nëse thirresh në SPAK nuk kandidon më ? Unë e përshëndes punën e zotit Dumani. Por fakti që thirresh në SPAK, nuk të ndalon të kandidosh. Ne kemi një ligj që përcakton artë rastet e mos-kandidimit dhe ai ligj është i panegociueshëm për këdo. Thirrje ime për këdo që i ka shërbyer sigurimit të shtetit dhe është përfshirë në veprimtarinë e tij të mos kandidojë as për kryetar bashki dhe as për Këshilla sepse ligji do të funksionojë”, nënvizoi Balla.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here