Berisha dhe Meta zyrtarizuan koalicionin, reagon e revoltuar Evi Kokalari: Më vjen shumë keq që isha pjesë e kësaj lëvizje

0
91

Evi Kokalari e ka quajtur fund të ‘Rithemelimit’ koalicionin e zyrtarizuar mes Metës dhe Berishës ‘Bashkë-Fitojmë’ që dorëzoi mbrëmjen e sotme aplikimin për regjistrim zyrtar në zgjedhjet e 14 majit nën siglën dhe logon përkatëse.

Nëpërmjet një reagimi në facebook, Kokalari u shpreh e keqardhur që ka qenë pjesë e lëvizjes së Rithemelimit, duke u shprehur se egoja personale ka marrë peng çdo gjë të mirë që ka mbetur në Shqipëri, duke iu referuar qëllimeve të Metës dhe Berishës.

“Koalicioni i sotëm është pa diskutim fundi i “rithemelimit” dhe e shpresën për ndryshime në Shqipëri.  Më vjen shumë keq që isha pjesë e kësaj lëvizje.  Egot personale kanë marrë peng çdo gjë të mirë që ka ngelur në atë vend”-shkruan Kokalari.

Mbrëmjen e sotme, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka dorëzuar në KQZ kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” që kryesohet nga Partia e Lirisë. E dyta në renditjen e partive përbërëse të koalicionit, është edhe Partia Demokratike e Berishës, gjë që pritet të sjellë edhe kthimin e kërkesës për këtë koalicion pasi KQZ nuk e ka pranuar regjistrimin e PD-së së kryesuar nga ish kryeministri, me argument se Basha është ende kryetari ligjor i partisë. Pjesë e koalicionit janë edhe Partia Republikane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, vetë Kokalari në muajin shkurt zyrtarizoi partinë e saj ‘Konservatorët’, pas zhgënjimit që pësoi nga Sali Berisha dhe distancimi nga Partia Demokratike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here