Gjykata e Apelit do të mblidhte sot për të vendosur se kujt i takon drejtimi i Partisë Demokratike. PD është ndarë në dy pjesë, ku nga njëra anë është deputeti Enkelejd, Alibeaj, ndërsa nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha. Nga burime brenda selisë blu kemi mësuar se ish-kryeministri po luan kartat e tij të fundit që PD të mbetet në dorë të tij, pasi nëse drejtësia ia heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Mësohet se ish-kryeministri është përpjekur gjithë këtë kohë të blejë gjyqtarët e dosjes së PD dhe flitet për çanta të mbushura plot me para në mënyrë që me çdo kusht të fitojë drejtimin e selisë blu. Gjithashtu ka patur shantazhe dhe kërcënime të forta nga kreu i Foltores për të shpëtuar nga “vdekja” e tij e sigurt në politikë.
3 skenarë
Në këtë situatë qëndrojnë 3 skenarë, ku në të gjitha format Berisha del përfundimisht jashtë politike. Skenari i parë është humbja e Berishës. Një vendim kundër tij nga Apeli që i heq administrimin e selisë blu, do të sillte fundin e tij politik dhe “mburojën” e tij kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vejë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top. Në situatën dhe pozitat që ndodhet ai, ku gjysma e Evropës dhe SHBA i ka mbyllur dyert, ky vendim do te vuloste fundin e tij. Sot që flasim “Foltoren” nuk e njeh asnjë institucion.
Shtyrja e gjyqit, Meta “i mbyll përfundimisht derën”
Skenari i dytë është shtyrja e gjyqit. Gazeta ka mësuar se vendimi në Apel nuk është i sigurt se mund të merret sërish. Mund të ketë sërish shtyrje. Por kjo vonesë, dëm të madh i shkakton më shumë Sali Berishës. Një shtyrje më e gjatë nuk mund t’i japë kohë “Foltores” të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet vendore. Edhe juristët e kanë thënë qartë se pa vërtetim gjykate Sali Berisha nuk mund të regjistrohet në KQZ. Berisha të vetmen rrugë me këtë skenar do i mbetet të “falet” tek Ilir Meta. Por kreu i Partisë së Lirisë ia ka mbyllur përfundimisht derën. Mësohet se dje, më 2 mars, Partia e çiftit Meta-Kryemadhi është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Në respekt të Nenit 64 e në vijim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, Partia e Lirisë është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për njësitë e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj.”, thuhet në njoftimin e Partisë së Lirisë. Pra Meta nuk priti gjyqin e PD dhe veproi menjëherë pasi ai mesa duket nuk do të ndjekë linjën e 6 marsit të vitit 2022 ku shkoi në zgjedhje me Berishën.
Berisha jashtë zgjedhjeve
Skenari i tretë është se Berisha po përgatitet të paraqesë mos hyrjen në zgjedhje. Për këtë nuk vlejnë vetëm deklarata e tij, por dhe mungesa e përgatitjeve për zgjedhje. Dhe pse kandidatët e tij janë zgjedhur përmes “primareve” qysh vitin e kaluar, askush prej tyre nuk është shfaqur në fushatë. Madje po të shikosh dhe sjelljen politike të Berishës, ai duket sikur po përgatit partinë e tij për revolta dhe jo për zgjedhje lokale. Duke dështuar në përpjekjet për të bashkuar PD dhe duke e kthyer betejën për bashkim në betejë për vulën e PD, tani Berisha po e deklaron me zë dhe figurë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të 14 majit, por me një arsyetim të ri, që nuk e kanë përdorur më parë. Bojkotin e zgjedhjeve të 14 majit Berisha do ta justifikojë si përjashtim nga zgjedhjet, meqë Gjykata nuk do t’i japë vulën e PD.









































