Në të gjithë historinë e tranzicionit shqiptar, politikani që i ka vënë flakën vendit sa herë ka patur hallin e vet ka qenë dhe mbetet ish-kryeministri Sali Berisha. Ai, në çdo rast që e ka parë punën pisk, është ngritur dhe ka djegur Shqipërinë për të shpëtuar veten. E ka bërë për të mbrojtur apo marrë pushtet deri dje, po e bën për t’i ikur drejtësisë sot duke kërkuar një 97’ të dytë pasi po e ndjen rrezikun e burgut. Për ish-deputetin socialist Spartak Braho, Sali Berisha me protestat e fundit që po organizon dhe thirrjet e tij për revolucion, po kërkon të rikthejë sërish 97’, me përmasa apokaliptike. Braho ka zbuluar një nga urdhrat sekretë për vrasje masive në ’97-n të firmosura nga Gazidede, ai i 9 marsit për armatosjen e militantëve në Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Shkodër, Dibër, Kurbin, Lezhë, Malësi e Madhe dhe Burrel. Sipas Brahos, nëse do ta lejojnë, Berishën të çojë në fund revolucionin, ai është i gatshëm të përsërisë vitin 1997, pavarësisht çmimit që mund të kenë Shqipëria dhe shqiptarët. Ish-deputeti socialist është shprehur se për sa kohë në PD do të bëjë ligjin Sali Berisha, ky rrezik është evident. “Sali Berisha, ky kapter i keq i një toge te shpartalluar është rikthyer në taktikën dhe rrotullon gjuhën njëlloj si 20 vjet më parë. Por akoma më keq në insinuata dhe shpifje sepse tani po merret edhe me përgojimin seksist të grave deputete. Po e ndjell vete, po e kërkon vetë me dorën e tij linçimin apo më keq nga familjarët e tyre t’i gjejnë rastin e ta ngordhin në dru edhe si horr i shpifur me sa duket kërkon vetë të flijohet për revolucionin. Populli thotë një llaf me shumë vlera dhe alegori të qartë :” Zagarit kur i vjen ngordhja shkon e pshurr në derën e Xhamisë”, u shpreh Spartak Braho. Sipas tij, Berisha i ngjan një bishe të plagosur dhe mendon se vetëm një përplasje civile, një grusht shteti mund ta shpëtojë nga ndëshkimi. Kanë kaluar 26 vite nga marsi i vitit 1997 kur vendi u zhyt në kaos, shteti ra për tre ditë dhe në duart e shqiptarëve ranë miliona armë të kalibrave të ndryshme. Në faksimilen që sjell për gazetën “SOT”, Spartak Braho, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi ka edhe shumë e shumë materiale të tjera, jo vetëm për vitin 1997 dhe 1998, por edhe më vonë, ndërsa zgjerohet edhe rrethi i politikanëve të përfshirë në krime dhe afera korruptive. Për 97’ u ngrit dhe një Komision Hetimor që e ka drejtuar Spartak Braho, i cili evidentoi edhe shumë dokumente të tjera të cilat u përdorën në përfundim të hetimeve dhe Kuvendi i Shqipërisë i hoqi imunitetin Berishës, por që prokuroria e neglizhoi dhe nuk e dërgoi në gjyq, por i mbylli.

3 mijë viktima nga regjimi i Sali Berishës dhe frika se skenari mund të përsëritet
Tragjedia e marsit 1997 kishte kohë që “gatuhej” në çdo shtëpi shqiptare, të revoltuar nga humbja e kursimeve të tyre në firmat mashtruese piramidale të ngritura nga regjimi i Berishës, apo dhe nga represioni i SHIK-ut të Gazidedes ndaj opozitës e qytetarëve në atë kohë. Por rrëzimi i shtetit për 3 ditë nisi realisht më 3 mars të vitit 1997, pikërisht në ditën kur Sali Berisha u vetëzgjodh përmes Parlamentit të vjedhur në zgjedhjet e 26 majit 1996, President i Republikës për një mandat të dytë. Rizgjedhja e Berishës për një mandat të dytë,që u bë pikërisht në prag të shpërthimit të luftës civile në Shqipëri, duke injoruar dhe thirrjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë që kërkonin qetësimin e situatës, shërbeu si pikë vlimi për degjenerimin e situatës. Gjithë makineria shtetërore dhe politike e qeverisjes së PD që nga zgjedhjet e pjesshme në Libofshë, zgjedhjet e vjedhura dhe të dhunuara të 26 majit e deri tek lejimi dhe nxitja e piramidave mashtruese që thithën 1.2 miliardë USD kursime të shqiptarëve, kishin funksionuar vetëm në shërbim të zgjedhjes për një mandat të dytë të Berishës President. Shqiptarët e brezit të mesëm dhe më lart kanë në memorien e tyre pamjen e dyfishtë të rizgjedhjes së Berishës president më 3 mars 1997, plot 26 vite më parë. Nga njëra anët ushtria ishte dërguar në jug për të vrarë civilët, me gjithë arsenalin e saj që nga topat, tek avionët dhe lëndët helmuese luftarake duke çuar vendin në prag të luftës civile, nga ana tjetër duartrokitjet e deputetëve të PD në Kuvend për zgjedhjen e Berishës. Presidenca e dytë e Berishës filloi me gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur nga vetë presidenti demokrat, vetëm e vetëm në funksion të pushtetit të tij, pa marrë parasysh rrënimin e shtetit në themel. Çmenduria e Berishës dhe tahmaja e madhe për pushtet jo vetëm që nuk e bëri që të largohej për të qetësuar dy të tretat e qytetarëve shqiptarë që ishin ngritur dhe me armët që vetë shpërndau, kundër tij, por e çoi më tej, duke u rizgjedhur President, pasojë e së cilës ishte vrasja e mbi 3 mijë qytetarëve, mes të cilëve dhe 140 ushtarë dhe oficerë ushtrie e policie. Ndërkohë që la në duart e shqiptarëve miliona e miliona armë dhe municione të cilat që nga viti 1997 kanë shkaktuar mijëra viktima, përmes vrasjeve me njëri tjetrin, krijimit të bandave kriminale e deri në kundërvënie ndaj shtetit si më 14 shtator 1998.








































