Google search engine
Home Sport Dhjetorët 1967-1968, koha e “ndeshjeve të shekullit” në sportin shqiptar

Dhjetorët 1967-1968, koha e “ndeshjeve të shekullit” në sportin shqiptar

0
406

Vitet 1967 -1971 janë karakterizuar nga një valë e paparë aksionesh kombëtare të rinisë për ndërtimin e shumë veprave të rëndësishme, madje në dhjetorin e vitit 1967 janë shënuar ngjarje të rëndësishme në disa fusha të jetës. Së pari në dhjetor pati solidaritet të paparë për të evituar pasojat e tërmetit të rëndë të 30 nëntorit 1967 që ra në Dibër, më pas aksioni në zonat e thella të vendit për të çuar energjinë elektrike, hapja e rrugëve hekurudhore etj. Edhe në sport kanë ndodhur ngjarje shumë të rëndësishme në vitet 1967 e 1968. Dhjetori i atyre viteve ka regjistruar disa prej “ndeshjeve të shekullit” në sportin tonë, ku protagonistë janë klubet e Dinamos, Partizanit, 17 Nëntorit, por edhe të skuadrës kombëtare të futbollit. Në ato vite ndeshjet ndërkombëtare si të skuadrave përfaqësuese ashtu dhe të klubeve ishin më të rralla, por ekipet tona shkonin deri në tetëshe të kupave të Europës në Ligën e Kampioneve. Në këtë numër të gazetës do të njohim lexuesin me tri ndeshje që kanë lënë gjurmë në dhjetorin e viteve 1967 dhe 1968. Në fillim, në dhjetorin e vitit 1967, Dinamo e Tiranës në volejboll për meshkuj po shkruante faqe suksesi në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Me një grup të shkëlqyer lojtarësh dhe me një trajner mjeshtër të rrallë si Vangjel Koja, Dinamo do të linte mbresa të pashlyera në të gjitha pallatet e sportit ku luajti. Ajo u përball me dinjitet ndaj emrave të mëdhenj të volejbollit të kohës si CSKA e Sofjes, Panathinaikos, Mllados i Zagrebit, Virtus Bolonja apo dhe Partizani i Beogradit. Këtë të fundit do ta mundte në turin e parë të Ligës së Kampioneve të Europës në volejboll më 5 dhjetor 1967 në Tiranë, me rezultatin 3-2. Edhe pse humbi ndeshjen e kthimit në Beograd 3-0 më 20 dhjetor të atij viti, Dinamo po përjetonte një nga momentet e arta të saj. Pak ditë më vonë nga ndeshja e volejbollit, po në Tiranë, përfaqësuesja e futbollit do të regjistronte “ndeshjen e shekullit”, përballë Gjermanisë, duke barazuar 0-0 dhe duke i eliminuar gjermanët, që nuk shkuan dot në finalet e Europianit të vitit 1968. Një vit më vonë, në dhjetor 1968, Partizani në basketbollin e meshkujve, me lider skuadre Agim Fagun dhe trajner Astrit Grevën, do të regjistronin një prej ndeshjeve më të mëdha të basketbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Do të barazonin 73-73 me Oransodën, kampionen e Italisë dhe praktikisht ekipin më të mirë të atij momenti në Europë. Një ndeshje që ka lënë gjurmë të pashlyera tek sportdashësit, një ndeshje ku Agim Fagu regjistroi një rekord historik me 48 pikë të shënuara (në atë kohë funksiononte rregullorja dypikëshe edhe për trepikëshat e sotëm). Në harkun kohor të një viti, nga dhjetori në dhjetor, në vitet 1967-1968, u luajtën kështu tri ndeshje në tre sporte të ndryshme që i dhanë Shqipërisë një emër të mirë në arenën ndërkombëtare të atyre viteve. Dinamo e volejbollit mposht Partizanin e Beogradit, Partizani i basketbollit shqiptar barazon me kampionen e Europës, Oransodën, kurse përfaqësuesja e futbollit me lojtarë të mëdhej si Pano, Vaso, Bizi, Dinella, Gjinali, Mema etj, frenon 0-0 Gjermaninë Perëndimore, e cila ishte nënkampione në fuqi e Botës dhe kishte një brez të artë lojtarësh që do të fitonin Europianin më 1972, Botërorin më 1974. Në ato vite, si në volejboll, basketboll e futboll, Shqipëria i tregoi botës se kishte talente, se kishte bërë progres në sport. Në fakt, ishte një periudhë që revolucionarizimi i jetës shoqërore kishte prekur edhe sportin, që nisur nga ato vite njohu rritje në cilësi, por edhe masivizim në shumë disiplina.

Dhjetorët 1967-1968, koha e “ndeshjeve të shekullit”

Dinamo e Volejbollit mundi Partizanin e Beogradit, shtypi i kohës elozhe “nëndetëses” së Kojës

Shtypi i kohës e ka komentuar ndeshjen në mënyrë reale, duke vënë në pah lojën spektakolare të skuadrës tonë, vështirësitë që hasi blloku, loja e bukur e Asllan Rusit me shokë, lëvizjet e stafit teknik të kryesuar nga i madhi Vangjel Koja, barazimi i jugosllavëve dhe natyrisht në fund fitorja e merituar e skuadrës tonë. Ajo që vë në pah analiza në shtypin  kohës është entuziazmi në pallatin e sportit i tejmbushur dhe ndihma e madhe e publikut në fitimin e ndeshjes.  Për këtë, mjafton të shihet materiali i korrespondentit të ATSH-së, botuar në gazetën “Zëri i Popullit” një ditë pas ndeshjes. Materiali i plotë jepet më poshtë:

“Në pallatin e sportit “Partizani” të mbushur plot e përplot me sportdashës, dje pasdite u zhvillua ndeshja ndërkombëtare e volejbollit midis Dinamos së Tiranës dhe Partizanit të Beogradit, e vlefshme për kupën e Evropës midis skuadrave kampione. E inkurajuar nga publiku, skuadra jonë kampione e nisi betejën sportive mjaft e mobilizuar. Pas kombinacionesh të bukura e gjuajtjesh të forta të Shehut, Bushatit, Sharofit e Terihatit, ajo kaloi në avantazh deri në 5-0. Pastaj Lena e Rusi gjuajnë dy herë jashtë dhe skuadra jugosllave mori topin dhe shënoi pikën e parë. Por dinamovitët shënuan edhe dy pikë të tjera. Pas kësaj loja bëhet më e ekuilibruar dhe shënojnë herë njëra e herë tjetra palë. Por gjithmonë udhëheqin vendasit. Nga fundi i setit të parë lufta sportive shtohet akoma më tepër dhe vendasit fitojnë me rezultat të shtrënguar 16-14. Në setin e dytë Dinamo e Tiranës ka epërsi të dukshme dhe fiton me lehtësi 15-10. U duk sikur ndeshja do të përfundonte 3-0 në favor të skuadrës tonë kampione, por kjo nuk ndodhi, sepse në setin e tretë e të katërt dinamovitët luajtën me gabime të theksuara sidomos në drejtim të organizimit të bllokut. Këto gabime u shfrytëzuan nga kundërshtarët dhe ata i fituan setet e tretë dhe të katërt me të njëjtin rezultat, 15-8. Në setin e pestë, kampionia e Shqipërisë krijoi epërsi në të gjitha drejtimet dhe e mbylli atë 15-10, duke fituar kështu krejt ndeshjen 3-2. Fitorja e kampionëve të vendit tonë kundër përfaqësueses së ushtrisë jugosllave ishte plotësisht e merituar, megjithëse ajo mund të ishte me rezultat më të thellë. Kjo padyshim është meritë e të gjithë lojtarëve që u aktivizuan dhe e trajnerit të tyre Koja. Që nga fillimi e gjersa mbaroi ndeshja, publiku përkrahu volejbollistët tanë me thirrje inkurajuese. Ndeshja e kthimit do të luhet në Beograd më 20 dhjetor. Në bazë të shortit, fituesja do të ndeshet më vonë me kampionen e Rumanisë. Për kualifikimin kampionëve tanë u mjafton fitorja me çfarëdo rezultati”.

Dhjetorët 1967-1968, koha e “ndeshjeve të shekullit”

Ndeshja e kthimit, jugosllavët përmbysin ndeshjen e parë dhe kualifikohen

Ndeshja e kthimit e volejbollit të meshkujve midis Dinamos së Tiranës dhe Partizanit të Beogradit u luajt më 20 dhjetor në kryeqytetin jugosllav, Beograd. Në këtë ndeshje nuk pati shumë histori për përfaqësuesen tonë. Partizani serb fitoi 3-0, por jo me lehtësi. Me përjashtim të setit të parë që jugosllavët e fituan 15-8, në dy setet e tjera ata fituan me shumë vështirësi, pasi tanët bënë një lojë të balancuar dhe ishin shumë pranë objektivit. Gjithsesi, Partizani i Beogradit fitoi dy setet me shifra të njëjta 15-12 e krejt ndeshjen 3-0, duke u kualifikuar. Në turin e dytë të Kupës Europiane të Kampionëve u ndesh me kampionen e Rumanisë.

Dhjetorët 1967-1968, koha e “ndeshjeve të shekullit”

Dinamo e vitit 1970 shkoi në finalistët e Europës

Në sezonin 1971-1972, Dinamo në volejboll për meshkuj arriti në fazën finale të Kupës së Kampioneve të Europës (Champions League e ditëve të sotme). Në të 8-at e finales Dinamo eliminoi Panathinaikosin me dy fitore (3-0 në Tiranë dhe 3-1 në Athinë). Në gjysmëfinalet e grupit që u luajt në Amsterdam, Dinamo jonë  humbi 3-0 me Amstelveen holandeze 3-0, por mundi të fitonte ndeshjet e tjera e konkretisht mundi CSKA-në e Sofjes 3-2 dhe Rebels Lier-in belg me rezultatin 3-1.  Por në fazën finale, me katër skuadra, luajtur në Bruksel të Belgjikës, Dinamo i humbi të tria përballjet e saj, 0-3 ndaj Amstelveen të Amsterdamit, 0-3 ndaj Brnos çekosllovake dhe 2-3 ndaj Runit të Firences. E mbyll në vend të fundit fazën finale me 3 pikë, por shkroi me germa të arta prezantimin e Dinamos atë sezon në kupat e Europës, arritja më e madhe deri më sot e vojebollit të meshkujve të Shqipërisë. Kupën e Kampioneve atë vit e fitoi skuadra e Zetor Zbrojovka Brno e ?ekosllovakisë. Vetëm Dinamo e femrave do të arrinte më shumë në volejboll, duke shkuar në treshen më të mirë të Europës në fundvitet 80-të të shekullit të kaluar.

Dhjetorët 1967-1968, koha e “ndeshjeve të shekullit”

Formacioni dinamovit në vitin “e artë” 1972, në finalistët e Europës:

Lojtarët: Hajrulla Beriolli, Ilir Cirinaku, Dashamir Fagu, Edmond Gjerazi, Shkëlzen Hoxha, Kiço Lena, Asllan Rusi, Vladimir Starja, Kreshnik Tartari, Enis Terihati.

Traineri: Vangjel Koja

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here