Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” solli në skenë shfaqje të ndryshme teatrore. Festivali përfundoi më ndarjen e çmimeve dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehej më parë në mbyllje të tij se një ëndërr u bë realitet. “Mbyllë perden festa e madhe e teatrit shqiptar! Një ëndërr e kahmotshme u bë realitet – Edicioni i parë i Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu” i bashkë-organizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar në Shkup, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u mbyll sonte! Nga 16 deri me 27 nëntor 2022, çdo natë nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup mbi 300 krijues të teatrove shqiptare paraqiten produksionet teatrore nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Ferizaji, Shkodra, Tetova, Prizreni, Korça, Gostivari e Presheva për një numër rekord të shikuesve!”, thuhet nga TKES në faqen e tij. Trofeun e “Moisiu” sivjet e fituan: Shfaqja më e mirë: Tri Motrat – Teatri Shqiptar Shkup; Regjia më e mirë: Qëndrim Rijani – Tri Motrat; Aktori më i mirë: Sotiraq Bratko – Tregtari i Venedikut; Aktorja më e mirë: Ilire Vinca – Babi dhe Babai; Aktorja/roli i dytë më e mirë: Elia Zaharia -Ivanov; Aktori/roli i dytë më i mirë: Alfred Trebicka -Ivanov; Artisti i ri më i mirë: Kosovare Krasniqi – Babi dhe Babai; Skenografia më e mirë: Beqo Nanaj – Tregtari i Venedikut; Kostumografia më e mirë: Sofi Kara- Ivanov; Kompozitori më i mirë: Trimor Dhomi – Tri Motrat; Çmimi i dramës shqipe: Babi dhe Babai – Jeton Neziraj. Ndërsa çmimin e karrierës organizatorët e ndanë Post Mortem për aktorin Luran Ahmeti. Teatri Eksperimental shprehet se ky festival është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të organizohet çdo nëntor në rotacion: Shkup, Tiranë, Prishtinë. Ky festival pritet të zhvillohet në Tiranë në nëntor 2023.