Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit të Tallavasë, Renato Hamzës, i njohur në botën e muzikës me emrin “Reni i Elbasanit”.
“BalkanWeb” mëson se në qytetin e Elbasanit është zhvarrosur një kufomë. Dyshohet se kufoma e zhvarrosur i përket ‘Renit të Elbasanit’.
Bëhet me dije se rreth orëve të parë të mëngjesit të djeshëm (05:00 a.m), një grup prej 25 punonjësish të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende e paidentifikuar.
Me rihapjen e hetimeve, prokuroria e Elbasanit ka mundur të sigurojë indicie të reja, çka ka shtyrë që të marrë edhe vendimin për zhvarrosjen e trupit të gjetur dhe ende të paidentifikuar.
Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime të forta që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet mister edhe sot.








































