Një luftë e ashpër ka filluar së fundmi mes Serbisë dhe Kroacisë. Gjithçka filloi nga një bllokim i hyrjes për në Zagreb ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç nga qeveria kroate. Por ditën e djeshme Vuçiç ka treguar se si ka nisur konflikti me kroatët shumë kohë më parë. Ai ka deklaruar se kroatët i kanë vrarë gjyshin. “Kroatët iu bashkuan nazistëve që në fillim. Nazistët bombarduan Beogradin, por ata hynë në Zagreb dhe u mirëpritën nga populli dhe formuan një shtet të ri, një shtet të ri kukull nazist, shtetin e pavarur të Kroacisë, që përfshinte të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe pjesë të mëdha të Serbisë së sotme. Detyra e tyre kryesore ishte të shfarosnin të gjithë serbët”, tha Vuçiç. Ai deklaroi se babai i tij “ka lindur këtu në Serbi, sepse kroatët i vranë të atin”. Ai po ashtu ka thënë se ende nuk dihet se ku është vrarë saktësisht gjyshi i tij. “Ka disa lista që thonë se është vrarë në kampin e Jasenovacit në Kroaci, por të tjera (dokumente) thonë se është vrarë në një vend tjetër. Sido që të jetë ai është vrarë nga forcat ustashe”, thotë Vuçiç. Gjyshja e Vuçiçit, siç thotë ai më tej, dhe disa të tjerë të arrestuar në Bosnje, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe arritën si refugjatë në Serbi, por së bashku me gjyshin e tij u vranë 25 persona. “Ajo lindi babain tim tre, katër muaj më vonë. Gjithashtu kam pasur të afërm që kanë vdekur në Luftën e Dytë Botërore, por duket se të gjithë duan ta harrojnë atë”.
Vizitë në Kroaci
Siç është raportuar në “Jerusalim Post” në korrik, Vuçiç ka kërkuar të vizitojë Kroacinë privatisht dhe t’i bëjë homazhe gjyshit të tij që u vra në kampin e Jasenovacit. Mirëpo, ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq-Radman iu përgjigj raportimeve të mediave për këtë vizitë të planifikuar dhe tha se “presidenti i një vendi është person i mbrojtur dhe se një vizitë e tillë kërkon pjesëmarrjen e autoriteteve kroate”, raportojnë mediat kroate. “ Tri herë kam kërkuar nga autoritetet kroate që të më lejojnë të vizitoj kampin e Jasenovacit”, tha Vuçiç, duke shtuar se Jasenovaci është “një nga kampet më vdekjeprurëse në Evropë”. Ai gjithashtu tha se “serbët gjithmonë janë ndjerë shumë afër hebrenjve dhe ne i duam hebrenjtë”. Vuçiç gjithashtu shpjegoi se ka vlerësime të ndryshme për numrin e të vrarëve në Jasenovac. “Udhëheqësit politikë, historianët dhe analistët kroatë kanë vlerësuar gjithmonë se dhjetëra mijëra u vranë. Por ne serbët kurrë nuk e kemi pranuar këtë”, thotë presidenti i Serbisë, dhe shton se në Serbi “historianët vlerësojnë se janë qindra mijëra njerëz të vrarë në kampin e Jasenovacit”.
Akuzat e Vuçiç për Kroacinë
Sipas presidentit serb, “çështja e vërtetë” me mohimin e vizitës së tij në Memorialin e Holokaustit është se “shumë njerëz dhe shumë vende do të donin të fshinin gjithçka që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore”. Dhe ju, populli hebre, jeni një fener për të gjithë të tjerët që vdiqën gjatë luftës. Ne shohim se si luftuat dhe si vazhdoni të luftoni për të vërtetën. Ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë atë në të njëjtën mënyrë si ju. Por ne nuk mund të minojmë apo nënvlerësojmë sakrificat tona. Bëhet fjalë për njerëzit, për fatet e tyre. Unë thjesht doja të shkoja atje,” tha ai. Vuçiç shtoi se komuniteti hebre serb gjithashtu iu përgjigj fuqishëm ndalimit kroat. “Ne i jemi thellësisht mirënjohës, sepse ata e dinë se si janë ndjerë dhe çfarë ndjejnë sot. Ndryshe nga shumë të tjerë në Evropë, nëse vini në Serbi, nuk do të gjeni më shumë se 0.0000001 për qind (serbë) që do të guxonin të thonë diçka kundër hebrenjve. Nuk është një çështje aktuale në këtë vend. Nuk ka qenë kurrë. Ata njerëz janë si ne”, tha ai për komunitetin hebre serb. Kujtojmë se Vuçiç ka prentenduar së fundmi se Kroacia mund ta arrestojë. Presidenti serb tha se është gati për aktakuzën dhe arrestimin me të cilin kërcënohet në Kroaci për shkak të deklaratave të tij nga viti 1995, por ai kërkon vetëm që të lejohet të vizitojë Jasenovacin dhe të bëjë homazhe për viktimat.











































