Kukësi prezanton sulmuesin brazilian Avelino, rriten objektivat për trofe

0
130

Pasi është mbyllur merkato, klubet ende vijojnë procesin e prezantimit të futbollistëve që kanë blerë gjatë ditëve të merkatos verore. Një nga klubet që pretendon se ka bërë blerje cilësore këtë sezon është Kukësi. Klubi verilindor prezantoi dje blerjen më të rëndësishme sezonale, Gabriel Barbosa Avelino, pikërisht një futbollist brazilian që pretendohet se do të bëjë diferencën me ekipin kuksian në Kategorinë Superiore. Pompoziteti i reklamimit bind që lojtari ka ardhur me bujë të madhe në Superligën shqiptare dhe mund të përmirësojë pozitat e Kukësit të rëna disi në dy sezonet e fundit. Kukësi nuk ia doli as të luajë në Europë sezonin aktual, pasi zuri një vend në renditje që nuk ia mundësoi këtë gjë, duke mbetur “thatë” edhe për trofe. Por këtë vit, trajneri Skënder Gega dhe presidenti honorifik Safet Gjici duan që Kukësi të rikthehet me pretendime e të arrijë në Europë, prandaj dhe kanë sjellë me pompozitet lojtarin brazilian që ka eksperiencë në disa vende europiane.

Avelino, një shans për Kukësin

Nuk ka më kurrfarë dyshimi pasi dje lojtari u prezantua edhe zyrtarisht dhe sportdashësit kanë mësuar ehd kushtet kontraktuale. Gabriel Barbosa Avelino është sulmuesi më i ri i Kukësit. Verilindorët e kanë huazuar 23-vjeçarin nga grekët e APO Levadiakos skuadër me të cilën është aktivizuar në Ligën e Dytë dhe ka shënuar katër gola në 12 ndeshje, ndërsa në të kaluarën, braziliani ka qenë pjesë edhe e Palmeiras, Seoul në Korenë e Jugut apo edhe me të rinjtë e SPAL në Itali. Nisur nga të dhënat fillestare bëhet fjalë për një futbollist premtues dhe me eksperiencë pavarësisht moshës së re, që kërkon ta shfrytëzojë eksperiencën e tij në Shqipëri për t’u ringritur. Te Kukësi ndërkohë shpresojnë që braziliani të japë një ndihmesë të çmuar për arritjen e objektivave. Kukësi nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin dhe në tre ndeshjet e para ka grumbulluar vetëm një pikë ndërsa Barbosa mund të sjellë një frymë ndryshe në grupin e drejtuar nga trajneri Skënder Gega. Ky i fundit do ta ketë menjëherë në dispozicion lojtarin duke nisur nga ndeshja e radhës në kampionat ndaj Teutës.

Njoftimi i Kukësit

Në njoftimin e klubit të Kukësit vihet theksi tek CV-ja e futbollistit, i cili jo vetëm është në një moshë shumë premtuese, por ai vjen pas eksperiencës në kampionatin grek, që është me pikavarazh shumë më lart se Superliga jonë. “Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi Gabriel Barbosa Avelino është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Barbosa ka firmosur me klubin tonë një kontratë huazimi deri në fund të sezonit, teksa klubi ynë ka të drejtën për të ruajtur një % të kartonit. 23 vjeçari brazilian vjen te Kukësi nga kampionati grek ku sezonin e fundit ishte pjesë e skuadrës së APO Levadiakos. Në të shkuarën ka qenë pjesë e Palmeiras, Seoul, Pajsandu e Spal U-19. Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje sulmuesit Gabriel Barbosa dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. BEM-VINDO GABRIEL!

Skeda e Lojtarit:

Emri: Gabriel Barbosa Avelino

Mosha: 23 vjeç

Gjatësia: 1.95 m

Kombësia: Brazilian

Pozicioni: Sulmues

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here