Ballkani “bombë me sahat”, si do përdoret si front i dytë i Moskës për të shmangur vëmendjen nga Ukraina, ja vendet e rrezikuara dhe lëvizja e Brukselit që po alarmon Putinin

0
116

Megjithëse Rusia është në një pozicion shumë më të dobët aktualisht, kur përballet me rezistencën e ashpër të Ukrainës dhe i nënshtrohet izolimit ndërkombëtar, Moska mund të nxisë dhe të përdorë një konflikt të ri të mundshëm në Ballkan si një front të dytë për të shkëputur vëmendjen perëndimore nga lufta në Ukrainë. Përveç kësaj, Brukseli ka alarmuar Vladimir Putinin pasi para pak ditësh ka marrë nën ombrellën e vetë Maqedoninë dhe Malin e Zi. Sinjalet vazhdojnë të shtohen çdo ditë nga Moska. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov ka tentuar shpesh që të futë në sherr rajonin duke përdorur këto vende që këto ditë janë përfshirë dhe nga protesta të shumta. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë vënë nën shënjestër nga rusët pasi politika në këto dy vende është “në fije të perit”. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç rrezikon të rrëzohet pikërisht nga një marrëveshje me Kishën Serbe, ndërsa në Maqedoninë e Veriut opozita po përgatit referendum pasi propozimi francez i pranuar nga Shkupi vazhdon të shkaktojë tension.

Shefi i diplomacisë ruse tenton të fusë në sherr Ballkanin

Lavrov në një intervistë për një televizion rus ka theksuar ditën e djeshme se perëndimi po përpiqet t’i kthejë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në “mjet” në lojën anti-ruse. “Ju mund të shihni ndryshimin midis asaj që malazezët dhe maqedonasit ndiejnë për Rusinë dhe asaj që politikanët e tyre janë të detyruar të bëjnë nga Brukseli, BE-ja dhe NATO-ja. Kjo është një përpjekje për t’i kthyer ato në një “mjet” në lojën antiruse. Maqedonia e Veriut tani u bë për të hyrë në BE (ku nuk u pranua dhe nuk do të pranohet së shpejti). Në vend të kësaj, ata i tërhoqën zvarrë në NATO, filluan të nxisin ndjenjat rusofobike, politikën agresive ndaj Federatës Ruse. Të njëjtën gjë bënë edhe me Malin e Zi: u premtuan të anëtarësohen në BE, por thanë se duhet të anëtarësohen në NATO, t’i bashkohen sanksioneve dhe të marrin një qëndrim që është hapur anti-rus. Është e trishtueshme”, tha Lavrov në intervistën e publikuar në ueb faqen e MPJ-së ruse. Ai gjithashtu shtoi se ka vizituar Shkupin dhe Ohrin, ku thekson se, ka parë se si njerëzit në Maqedoni e trajtojnë historinë dhe fenë tonë të përbashkët.

Situata delikate politike në Podgoricë dhe Shkup dhe lëvizja e Brukselit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sërish do të dalin në referendum, kësaj radhe për kontestin me Bullgarinë, i cili për opozitën maqedonase ende është i pazgjidhur, pavarësisht heqjes së vetos nga Sofja dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësim evropian. Pas mbajtjes së konferencës së parë politike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, më 19 korrik, në Bruksel, që pasoi miratimin e propozimit francez në Kuvendin maqedonas, VMRO DPMNE-ja paralajmëron referendum kundër ndryshimit të Kushtetutës, si dhe kundër protokollit me Sofjen. Sipas kësaj partie, ky propozim rrënon gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike të maqedonasve. Ndërsa për Malin e Zi, Brukseli ka premtuar anëtarësim për në BE. Mediat malazeze zbuluan pak ditë më parë se presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka bërë një pakt të fshehtë me liderët e BE-së se nëse ai është pengesa për anëtarësimin e vendit, është i gatshëm të tërhiqet nga politika, por me një kusht: që largimi i tij të jetë me dinjitet. Nga ana tjetër kryeministri Abazoviç është në rrezik dhe mund të futë vendin në krizë politike.  Një ekip i ekspertëve malazezë kanë në dorë “fatin” e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Ata do të analizojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e kontratës bazë para nënshkrimit të saj me Kishën Ortodokse Serbe ka gjashtë anëtarë. Pra situata në Ballkan nga momenti në moment mund të shpërthejë dhe Rusia pret momentin më të mirë për ta shfrytëzuar. Deklaratat e Lavrov tregojnë se rajoni është në vëmendjen e tyre, por ndërkombëtarët me lëvizjet e tyre të fundit po tregojnë se nuk do ta lëshojnë kollaj Ballkanin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here