Tashmë Evropa ka folur më qartë se kurrë më parë: Nuk do të ketë BE për Serbinë, nëse nuk do të njohë Kosovën. Institucionet e Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përfundojnë dialogun me njohje reciproke. Gjithçka është bërë edhe më zyrtare, pasi Parlamenti Evropian miratoi ditën e djeshme rezolutën ku specifikohet qartë kjo kërkesë për palën serbe. Nga ana e Beogradit, menjëherë u mor vendimi se ky dokument i BE-së, i pari në histori lidhur me këtë çështje të nxehtë nuk do të shqyrtohet dhe as nuk do të merret për bazë. Pra Serbia, refuzon kategorikisht të njohë Kosovën. Rezoluta e Parlamentit Evropian vë në dukje se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet përfshirë të ashtuquajturin asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është quajtur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese në Prishtinë. Gjithashtu, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon tha në konferencën për shtyp se marrëdhëniet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohje reciproke.
Dokumenti i BE “çmend” Vuçiçin
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç po e ndjen presionin, nga ndërkombëtarët për njohjen e Kosovës sa vjen edhe shtohet. Megjithëse, edhe pse ai nuk ka shfaqur shenja tërheqjeje ditën e djeshme se as nuk do ta shqyrtojë kërkesën e Parlamentit Europian, e cila kërkon që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje reciproke, Vuçiç e ka pisk punën, pasi Serbia nuk bën dot pa Bashkimin Evropian, pasi ekonomia e tyre varet nga Perëndimi. Një izolim siç po i ndodh Rusisë, do të çonte në shkatërrim të Serbisë. I pyetur se si do të përgjigjet këtij dokumenti të BE-së që për herë të parë po e përmend njohjen reciproke, Vuçiç tha se do të përgjigjet “mirë, me dinjitet dhe mirësjellje”. “Nuk na shkon mendja. Nuk do ta marrim parasysh”, ka shtuar Vuçiç, duke thënë se nuk mund të mendojë përgjigje “më të sjellshme”.
BE: Serbia duhet të njohë Kosovën
“Përfundimi i mandatit të Miroslav Lajçakut (prill 2024) si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë gjithashtu fundi i dialogut, i cili natyrisht duhet të bazohet në njohjen reciproke, e cila gjë nuk do të jetë e lehtë, por unë jam shumë optimiste për këtë çështje”, u shpreh ditën e djeshme raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon. Ajo iu drejtua mediave së bashku me Vladimir Bilçik, raportuesin e PE-së për Serbinë, pas seancës plenare të Parlamentit Evropian ku u miratuan rezolutat e PE-së për Serbinë dhe Kosovën, dhe Von Cramon shpjegoi detajet e raportit të saj për Kosovën, në bazë të së cilës është hartuar rezoluta, raporton danas. “Raporti për Kosovën thekson nevojën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen reciproke, që është parakusht për vazhdimin e rrugës së të dyja palëve drejt anëtarësimit në BE. Aktualisht dialogu nuk është në agjendën e Beogradit, por edhe Prishtinës zyrtare dhe kjo është kritikuar nga shumë eurodeputetë, si dhe në raportin tonë”, tha Von Cramon.
Sinjalet pozitive nga dialogu Vuçiç-Kurti
Ajo tha se ka çështje që së fundi kanë filluar të zgjidhen, siç është marrëveshja për personat e pagjetur dhe marrëveshja për çështjet e energjisë dhe se këto janë hapa përpara, por jo të mjaftueshëm. “Marrëdhëniet duhet të përmirësohen, jo vetëm në nivelin politik por edhe në nivelin e jetës së qytetarëve”, tha ajo dhe shtoi se integrimi i serbëve të Kosovës është i rëndësishëm. Von Cramon ka theksuar se ka pritje të mëdha për takimin që Lajçak duhet ta udhëheqë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Shpresojmë që të mbahet një takim në nivelin më të lartë politik ku do të zgjidhen disa çështje urgjente, si ajo e targave të veturave”, tha ajo, duke shtuar se Miroslav Lajçak ka mbështetjen e plotë të PE në punën e tij për këto çështje. Kujtojmë se BE së fundmi zgjati mandatin e Lajçakut si kryenegociator midis Kosovës dhe Serbisë deri në muajin prill të vitit 2024.











































