Ballina Politike Drejtesi Shoqata e Gjyqtarëve mbështet hartën e re gjyqësore dhe zbulon se i...

Shoqata e Gjyqtarëve mbështet hartën e re gjyqësore dhe zbulon se i përgjigjet nevojave të qytetarëve, përçahen avokatët në disa qytete dhe i rikthehen seancave

0
13

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve është shprehur pro hartës së re gjyqësore të propozuar nga KLGJ. Në një njoftim për shtyp Shoqata e gjyqtarëve thotë se harta i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve dhe se do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen. “Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me mjaft vëmendje dhe interes të gjithë procesin e hartimit të dokumentit analitik të hartës së re gjyqësore të përgatitur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në konsultim dhe bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të procesit. Reforma në sistemin e drejtësisë, e mbështetur që në krye të herës nga ana e Shoqatës me mendime dhe nisma propozuese, si një ndër qëllimet e saj kryesore ka ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike. Për ta realizuar këtë lipset projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt. Edhe pse procesi i vettingut krijoji boshllëqe të mëdha në pushtetin gjyqësor kjo nuk e zbehu aspak, përkundrazi e shtoi vendosmërinë e subjekteve të angazhuara në procesin e skicimit të hartës së re gjyqësore, e cila do të shërbejë jo vetëm për të zbutur sado pak pasojat e këtij procesi të nevojshëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për t’i dhënë vendit një shërbim gjyqësor sa më cilësor në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Gjyqtarëve: Harta e re, i përgjigjet nevojave të qytetarëve

Në reagimin e saj, Shoqata e Gjyqtarëve ka theksuar se harta e re i përgjigjet nevojave të qytetarëve. Gjithashtu Shoqata deklaron se miratimi i hartës, i hap rrugë konsolidimit  të sistem gjyqësor në vendin tonë. “Gjithashtu, Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë për të gjithë. Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument. Për këtë shkak, ajo mbështet dhe inkurajon miratimin sa më parë të këtij dokumenti me rëndësi strategjike për të tashmen dhe të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë. Së fundi, Shoqata shprehet e angazhuar që, si gjithmonë, të mos e kursejë ndihmën e saj për çdo iniciativë që çon në përmirësimin e standardit të dhënies së drejtësisë në vendin tonë”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.

Përçahen avokatët, disa vijojnë bojkotin, disa kthehen në seancat gjyqësore

Ndryshe nga vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë e drejtuar nga Maks Haxhia, Dhomat Vendore të Avokatisë në Vlorë, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Korçë dhe Lushnjë kanë njoftuar bojkotin e seancave gjyqësore deri më datë 24 qershor. Ndërsa në datën 21 dhe 22 qershor avokatët thanë se do bojkotojnë edhe masat e sigurisë, gjë e cila nuk ka ndodhur më parë dhe mund të shkaktoj kaos në drejtësi. Po ashtu, avokatët e Shkodrës kanë paralajmëruar protestë të mërkurën. Gjykatat i janë rikthyer normalitetit në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Dibër dhe Kukës. Kujtojmë se harta e re gjyqësore ka sjellë diskutime dhe reagime mes avokatëve. Dhoma e Avokatisë  vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ. 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është se është shtuar një gjykatë e shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr. KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj

Personel Sağlık

- mersin eskort - eskişehir eskort
%d bloggers like this: