Me dënimin e një prej personave të përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malkos, ku Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg, risillet në vëmendje krimin që tronditi Tiranën.
Ngjarja ndodhi më 27 gusht 2019. Vetëm pak ditë më vonë u publikuan pamjet ku shihej se si ish-polici ishte ndjekur nga atentatorët, pak sekonda para ekzekutimit. 26-vjeçari u qëllua me breshëri nga xhami i pasëm i një Mercedes-Benz, që e ndiqte në rrugën e Porcelanit. Ekzekutori më pas u largua me një mjet tip Wolkswagen.
Autorët që ekzekutuan Santiago Malkon e ndiqnin nga një distancë shumë e afërt makinën e tij në momentet para atentatit. Siç duket edhe në pamje, ish-efektivi i policisë lëviz në rrugën e Porcelanit me automjetin e tij, BMW X5 ngjyrë e zezë. Vetëm 4 sekonda më pas, ndodhet makina Wolkswagen tip Golf e bashkëpunëtorëve në krim që e ndjek pas. Automjeti nga ku u qëllua për vdekje është pikërisht ky, Mercedes-Benz i zi i tip CSL. Ish-polici Malko ul shpejtësinë pasi ishte duke folur në telefon. Ai ndalon një zonë të ndriçuar pranë një lavazhi ku ka edhe bar-kafe, duke mos vënë re se ndiqej nga dy automjete njëkohësisht.
Njëri nga atentatorët ul xhamin e pasëm të makinës dhe qëllon me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend. Siç duket në video, ekzekutimi i 26-vjeçarit krijoi panik te qytetarët e shumtë që ishin ato momente pranë vendit të krimit. Fill pas ngjarjes ata u larguan menjëherë të frikësuar, duke hyrë në një nga lokalet në zonë. Nga këqyrja e pamjeve filmike në rrugën “Xhafize Keko”, rezultoi se, pas krimit një person zbret nga dera e pasme e makinës Mercedes-Benz dhe hipën të automjeti tip Golf. Gjurmët e ndjekjes humbin në drejtim të Tufinës, ndërsa automjeti i zi tip Mecedes u gjet i shkrumbuar në fshatin Ferraj, vetëm 20 minuta larg vendngjarjes.








































