Ish-kryeministri Nikolla Gruevski dënohet sërish me burg, ja për çfarë akuzohet këtë radhë

0
51

Gjykata Penale e Shkupit, në Maqedoninë e Veriut vendosi ditën e mërkurë një dënim të ri me burg për ish-Kryeministrin e arratisur të vendit, Nikola Gruevski, kësaj radhe bëhet fjalë për një dënim gjashtëvjeçar për shpërdorim të pushtetit.

Ky është dënimi i pestë për Gruevskin që kur ai la postin në vitin 2011, pas një dekade në pushtet.

Sipas aktakuzës, Gruevski dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Kiril Bozhinovski, si drejtuesit e parë të VMRO-DPMNE-së, nga viti 2011 deri në vitin 2016, kanë shfrytëzuar fuqinë e tyre nga pozita e pushtetit për të siguruar një seli të re partiake me vlerë shtatë milionë euro.

Gruevski deri më tani ka mohuar çdo akuzë.

Ai u arratis në Hungari në vitin 2018 para se të ekzekutohej dënimi i tij i parë, ku fitoi dhe të drejtën për azil politik.

Gjykata Penale e vendit në aktgjykim, urdhëroi gjithashtu konfiskimin e selisë tetëkatëshe të partisë konservatore VMRO-DPMNE të Gruevskit e cila ndodhet  në qendër të Shkupit dhe u ndërtuan gjatë kohës së tij në detyrë si dhe 30 seli të tjera të partisë.

Gjykata vendosi ta zhbllokojë tokën nën selinë partiake të VMRO-DPMNE-së, por sipas prokurorisë, kjo nuk do të ndikojë në konfiskimin e objektit.

Ish-lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg për shpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Kiril Bozhinovski u dënua me dy vjet me kusht.

“Në një situatë kur vijon përgjegjësia penale për veprimet e ndërmarra kundërligjore, dhe përfitimi është që sendet e përfituara nga kryerja e veprës penale, të konfiskohen si nga autori ashtu edhe nga persona të tretë. Mesazhi është i qartë se në të ardhmen asnjë person përgjegjës në parti politike, apo struktura të tjera të shtetit, nuk duhet të guxojë të kryejë këtë apo një vepër tjetër të ngjashme penale…”, tha Daniela Aleksovska Stojanovska, gjykatëse.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj