Gara për kryetar në Partinë Socialiste në Shkodër është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje të ashpra mes kandidatëve dhe drejtueses politike të PS për Qarkun, njëherësh ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali. Një nga kandidatët në garë për kryetra të Partisë Socialiste, Arbis Vjerdha ka hedhur akuza të forta ndaj deputetes Bilali, lidhur me procesin që po mbahet për drejtuesit e rinj të degëve të PS. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Vjerdha theksoi se Bilali ka tentuar ta përjashtojë atë nga gara, duke i rënë ndesh edhe fjalëve të kryeministrit Edi Rama, i cili pak ditë më parë deklaroi se Partia Socialiste duhet të hapet dhe çdo kandidaturë duhet të merret në konsideratë. “Kam depozituar dokumentacionin e nevojshëm për kryetar të PS, por lufta brenda llojit vijon të jete prezente dhe koordinatorja Bilali, duke parë që Arbisi nuk duhet ë jetë në planet e saj, vendos kundër propozimit të kryeministrit, që emri im të mos jetë. Ajo në asamble propozon që personat që nuk përfaqësojnë PS në këshillin bashkiak, që i bie të jem vetëm unë, nuk mund të kandidojnë. Kjo tregon nivelin arkaik që ka qeveria jonë me zgjedh një person të tillë që i servir Shkodrës për ta drejtuar politikisht. I bëj thirrje, që nëse e do partinë, nëse e do dinjitetin dhe ke respekt për veten, në zgjedhje transparente, me meritokraci, që t’i ofrosh Shkodrës një person që bën ndryshimin. Mos merrni njerëz të mbytur në borxhe për t’i bërë drejtorë. PS ka nevojë për ndryshim nuk ka nevojë për njerëz që i ndërrojnë perdet. Duhet ndryshuar struktura, e kjo nuk bëhet për qëllimet personale të Bilalit. Të hidhet në votim dhe jo të bëhen përjashtime. Unë nuk merrem me gojët e liga, sepse thonë që drejtoresha e postës, shoqe e ministres, do ta zgjedh kryetare të partie. Janë fjalë dhe jo baza, prandaj unë po them që për mua është vendos mos të jem, ky është fakt. Unë do të bëj lëvizjet e mia, por i them ministres, se aq vite sa ke ti moshë, unë i kam në parti. Duke protestuar e duke dhënë kontribut”, deklaroi kandidatë për kryetar i Partisë Socialiste Shkodër, Arbis Vjerdha. Kujtojmë që në degët e Partisë Socialiste të qarkut Shkodër janë rreth 25 kandidatura për Shkodrën, Malësinë e Madhe, Vau Dejën, Pukën dhe Fushë Arrësin.
PS Shkodër zbulon kriteret që nuk plotëson kandidati
Ndërkohë ka reaguar në media edhe Partia Socialiste, e cila zbulon çfarë nuk plotëson Vjerdha, ndaj edhe duhet të përjashtohet nga gara. Aty thuhet se nuk plotëson kushtin formal të kryerjes së jetës aktive në parti për së paku një vit, si dhe ai përfaqëson një forcë politike të ndryshme nga PS në Këshillin Bashkiak Shkodër prej së paku 3 vitesh. “Në rastin e kandidatit Vjerdha, ai nuk plotëson kushtin formal të kryerjes së jetës aktive në parti për së paku një vit, si dhe ai përfaqëson një forcë politike të ndryshme nga PS në Këshillin Bashkiak Shkodër prej së paku 3 vitesh, saktësisht Partia Demokracia Sociale, informacion i cili mund të vërtetohet lehtësisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë arsye, Këshilli Koordinues i Qarkut ka votuar unanimisht propozimin që në relacionin për Komisionin e Posaçëm kjo kandidaturë nuk plotëson kriteret formale. Dëshirojmë të theksojmë se sipas udhëzimit në fjalë, në rang qarku vetëm administrohet procedura, dhe nuk shprehen për preferenca për kandidatët”, thuhet në reagim.
Kandidatët për kryetar të PS në Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Maliqi
Ndërkohë procesi i zgjedhjes së kryetarëve të rinj të Partisë Socialiste në 61 bashkitë e vendit ka hyrë tashmë në një fazë të re të ballafaqimit të kandidaturave përpara anëtarësisë. Kryeministri Edi Rama ndau dje dhe dy ditë më parë përmes rrjeteve sociale momente nga ky proces në Pogradec, Maliq dhe Kolonjë. “Vijojnë takimet përzgjedhëse në Partinë Socialiste, një proces unik zgjedhor i kandidatëve në të 61 bashkitë nën mbikëqyrjen e Komisionit të Posaçëm të kryesisë socialiste”, shkruan Rama. Në zbatim të vendimit të Kongresit të 9 prillit dhe Asamblesë Kombëtare të 7 majit, Partia Socialiste ka hapur procesin e garës së brendshme për 61 kryetarët në 61 bashkitë e vendit. Kandidatët për kryetar të partisë në 61 bashkitë parashikohet të kenë si kriter vendbanimin dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se një vit brenda territorit të bashkisë, të jenë anëtar të partisë si rregull për një periudhë jo më pak se tre vjet, të kenë arsimin e lartë, si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor. Në procesin e ri zgjedhor në Partinë Socialiste, kandidatët për drejtimin e 61 degëve kryesore të partisë do të ballafaqohen përpara anëtarësisë, nën mbikëqyrjen e Komisionit të Posaçëm të kryesisë socialiste.








































