Duket se pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 6 marsit, Sali Berishës iu hap rruga e plotë drejt selisë blu. Ishte edhe vendimi i Gjykatës së Tiranës , që e regjistroj Kuvendin e 11 dhjetorit të organizuar nga Berisha, si të ligjshmes, ku u ndryshuan edhe vula me logon e partisë. Edhe pse vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri, është çuar në Gjykatën e Apelit, duket se Berisha po nxiton të uzurpojë Partinë Demokratike. Ditën e djeshme, ende pa u shprehur Apeli, ish-kryeministri zhvilloi zgjedhjet për kryetarët e degëve të PD në rrethe, ku fituan kandidatët që ai preferonte. Zgjedhjet u zhvilluan në disa rrethe si Fier, Fushë-Krujë, Selenicë dhe në Njësinë. 5 në Tiranë. Në zgjedhjet e zhvilluara në qytetin e Fierit dhe pas përfundimit të numërimit të mbi 700 votave është zbuluar edhe emri i ri që do të drejtojnë PD-në e Fierit. Bëhet fjalë pë Rrapi Gjika, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e Sekretarit Organizativ të kësaj dege. Rrapi Gjika ka marrë 402 vota, ndërsa kandidati tjetër Vladimir Kajolli ka marrë, 340 vota ndërsa 8 vota janë shpallur të pavlefshme. Në zgjedhjet për kreun e ri të degës së Fushë-Krujës, morën marrë pjesë ekzaksisht 440 demokratë. Në fund, kreu aktual i PD-së, Agron Loka, i cili doli hapur në mbështetje të Berishës ka fituar një mandat tjetër me 408 vota. Rivali i tij, i cili ishte kundër ish-kryeministrit, Aqif Mesi ka marrë 24 vota, ndërsa 8 vota janë shpallur të pavlefshme. Ndërkohë, dje është zgjedhur edhe kreu i ri i degës së Selenicës. Procesi i nisur në mëngjes përfundoi pak para orës 19:00, duke shpallur dhe kryetarin e ri të demokratëve të Selenicës. Leonard Rakipaj ka fituar garën në Selenicë duke marrë 203 vota, ndërsa rivali i tij Gazmir Beqaj vetëm 63 vota. Ndërsa Resmi Shanaj është zgjedhur ditën e shtunë kryetar i Partisë Demokratike në Mallakastër. Gjatë votimit të sotëm, Shanaj ishte përball kandidatit Astrit Xhafaj, të cilin e mundi me 193 vota më shumë. Në këto zgjedhje, Shanaj mori 277 vota, ndërsa Astrit Xhafaj vetëm 80 vota, ndërkohë që 12 vota ishin të pavlefshme.
Zgjedhjet për kryetar dege, PD e Berishës jep detaje për procesin
Partia Demokratike ka reagoi dje pas mbylljes së procesit të votimit për kryetar dege të Fier, Selenicë dhe Fushë Krujë. Më anë të një njoftimi bëhet me dije se votimi u mbyll në orën 18:00 dhe se pas numërimit të votave, u zgjodhën Rrapi Gjika në Fier, Leonard Rakipaj në Selenicë si dhe Agron Loka në Fushë Krujë. “Procesi I votimit u mbyll në orën 18.00. Pas numërimit të fletëve të votimit, Kryetarë të degëve të PD shpallen si më poshtë vijon: 1. PD Fier, z. Rrapi Gjika me 56% të votave 2. PD Selenicë, z. Leonard Rakipaj me 76% të votave 3. PD Fushë-Krujë, rikonfirmohet z. Agron Loka me 92% të votave”, njoftoi mbrëmjen e djeshme PD, në lidhje me mbylljen e procesit të votimit për kreun e degëve.
Kaso: Mbështetësit e Bashës, pjesë e zgjedhjeve në degë
Për Ivi Kason, anëtar i Komisionit të Rithemelimit, zgjedhjet e krerëve të rinj të Partisë Demokratike janë një proces bashkimi, që është përqafuar edhe nga demokratë, të cilët deri në 6 Mars mbështesnin Lulzim Bashën. “Pjesa më e madhe e tyre është përfshirë në garën për zgjedhjet e seksioneve, grup seksioneve, kryesive të degëve, krerëve të degës dhe në një pjesë të tyre jo vetëm kanë marrë pjesë, por edhe kanë fituar dhe shpresojmë që thirrjet e vazhdueshme t’i përgjigjen çdo ditë e më shumë secili demokrat, i cili ka kontribute në parti dhe të jetë i sigurt se kontributet nëpërmjet votës do të vlerësohen”, tha Kaso. Më tej Kaso i fton të gjithë në kuvendin e 30 prillit, dhe theksoi se nuk është Kuvendi i Komisionit të Rithemelimit. “Dera është e hapur për të gjithë demokratët. Nuk ka një Kuvend të 30 Prillit të Komisionit të Rithemelimit. Askush nuk përjashtohet, gjithkush do të vlerësohet”, tha ai.









































