Ish-kryeministri Sali Berisha bëri me dije se Partia Demokratike nuk do të pranojë të zgjedhë për president të ri të vendit asnjë prej kandidatëve nga mazhoranca socialiste. I ndodhur dje në Shkodër, ish-lideri historik i PD shtoi se ish-kryedemokrati Lulzim Basha është propozuar nga kryeministri Edi Rama si kandidat për kreun e ri të shtetit shqiptar. Lidhur me propozimet e mundshme të PS për pasuesin e presidentit Ilir Meta, Berisha këmbënguli se çdo kandidat për president i ardhur nga selia rozë është riciklim i kryeministrit Rama. “Votë për Bashën president? Tani më pyesni mua për propozimet e Edi Ramës, unë nuk merrem me to. Votë pro për kandidatët e PS? Absolutisht jo. Nuk votojmë në asnjë mënyrë kandidatët e Edi Ramës. Të votosh kandidatët e Edi Ramës do të thotë ta riciklosh, ta çosh në presidencë kopjen e tij”, tha fillimisht ish-kryeministri. Për sa i përket alternativës së zgjedhjes të një presidenti konsensual, Berisha e konsideroi tradhti nëse arrin marrëveshje me Ramën duke quajtur këtë të fundit “Judë”. “Konsensusi me Edi Ramën është të puthesh me Judën”, përfundoi fjalën e tij për mediat në Shkodër ish-lideri historik i PD, Sali Berisha. Qëndrimet e ish-kryeministrit në emër të PD për presidentin e ri u kontestuan nga kryetari i komanduar i selisë blu, Enkelejd Alibeaj. Ai sulmoi Berishën se ky i fundit s’mund të mbajë qëndrime në emër të grupit parlamentar demokrat pasi është i përjashtuar nga kjo parti. Madje, Alibeaj fajëson Berishën për mënyrën e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit duke i kujtuar se në vitin 2008, ai dhe Rama ndryshuan Kushtetutën e Shqipërisë. “Qëndrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrfarë lidhje me qëndrimin dhe vendimmarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë çështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit”, shkruan Alibeaj.








































