Google search engine
Home Aktualitet Piktorët Anastas Kostandini dhe Vangjo Vasili me një ekspozitë të përbashkët,...

Piktorët Anastas Kostandini dhe Vangjo Vasili me një ekspozitë të përbashkët, 28 punime në pikturë të dy viteve të fundit

0
451

Piktorët e njohur Anastas Kostandini dhe Vangjo Vasili janë bërë bashkë në një ekspozitë me pikturë. Dy autorë të njohur, që prej vitesh kanë një aktivitet të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit me aktivitetin e tyre artistik këtë herë prezantohen për publikun në “Golemi Art Gallery” në Tiranë. Peisazhe dhe natyra të qeta në punimet nga këta dy autorë, që publikut i prezantojnë dhe profilin e tyre artistik. Piktori Arben Golemi mik me dy autorët Anastas Kostandini (Taso) dhe Vangjo Vasili thotë se ata të dy u bënë bashkë me këtë ekspozitë, duke prezantuar nga 14 piktura secili. “Unë pyeta piktorin Vangjo Vasili dhe i tregova, që dua të kemi një ekspozitë me ju të dy bashkë. Ai më tha jam dakord dhe tha flasim me Tason. Unë e mora në telefon Anastas Kostandinin (Tason) dhe i them që kam dëshirë të bëj një ekspozitë me ju të dy, gjysmën e sallës me veprat e tua dhe gjysma me veprat e Vangjos. Edhe ai ra dakord për këtë ekspozitë. Ekspozita është me 28 punë dhe secili nga autorët ka nga 14 piktura”, tregon piktori Arben Golemi. Prezantimi i këtyre piktorëve në hapësirat e kësaj galerie arti, sipas Golemit është falas. “Hyrja për publikun është falas, por dhe pjesëmarrja e artistëve është falas. Karakteri i galerisë është miqësor, unë dhe miqtë e mi. Pas kësaj ekspozite janë dhe një sërë ekspozitash të tjera në vijim”, thotë Golemi. Për ekspozitën piktori Arben Golemi thotë se të krijon një gjendje të mirë. “Janë peisazhe, në brendi dhe ndonjë natyrë e qetë, por të krijon një gjendje shumë të mirë ekspozita”, thotë me tej Golemi.

 Krijimtaria e piktorëve

Ekspozita u hap këto ditë, por piktori Arben Golemi thotë se të dy këta autorë bien me punime atë që kanë karakteristikë të tyre. “Vangjo është më poetik, më fluid, po aq është poetik në drejtimin tjetër Taso, por më konkret dhe më me ngjyrë. Janë dy autorë të rëndësishëm. Punimet në pikturë kanë peisazhe nga e gjithë Shqipëria jo vetëm Pogradeci. Kemi peisazhe nga Razma, Tropoja, Lezha, Pogradeci, fusha e Korçës, etj. Janë punime kryesisht të dy viteve të fundit”, tregon Golemi. Ekspozita u hap më datë 9 dhe do qëndrojë deri më 25 mars. Anastas Kostandini, i mbiquajtur Taso, është një piktor, mozaist, vizatues, grafist, ilustrator i mirënjohur shqiptar. Në 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë për art monumental. Është një nga bashkë autorët e mozaikut “Shqipëria”, në fasadën e Muzeut Kombëtar Historik. Në fillimet e krijimtarisë së tij Taso ka realizuar edhe disa kompozime me temë historike, portrete kryesisht të familjes së tij dhe natyra të qeta. Peisazhi për Tason është një formë e veçantë e komunikimit dhe e dialogut me publikun e tij. Veprat e piktorit Anastas Kostandini ndodhen edhe në koleksionet e mjaft koleksionistëve në Shqipëri, Gjermani, Holandë, Francë, etj. Piktori shqiptar Vangjo Vasili kreu studimet në Akademinë e Arteve, ku është diplomuar në grafikë në 1973. Ai njihet për peisazhet e veçanta dhe stilin po kaq karakteristik që zotëron. Motivet e veprave te tij, vijnë nga një bote e stërhollë enigmatiko-sentimentale dhe poetiko-antologjike nëpërmjet procesit të përjetimit. Veprat e tij gjenden në koleksione private në vendin tonë por dhe në botë, si në Suedi, Luksemburg, SHBA, Kanada, etj.

Piktorët  Anastas Kostandini dhe Vangjo Vasili me një

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here