Largimi i Roman Abramoviç nga Çelsi do të jetë një goditje e rëndë për klubin anglez. Por në Londër qajnë një largim nga klubi që do t’i japë një goditje shumë më të rëndë ekipit për të ardhmen.
Nëse një investitor i fuqishëm mund të gjendet, pasi janë të shumtë ata që lakmojnë një skuadër të kalibrit të Çelsit, është shumë e vështirë që të gjendet një drejtuese si Marina Granovskaia. Kjo e fundit ka qenë drejtuesja e vërtetë e bluve në këto vite dhe falë punës e strategjive të saj, Çelsi u kthye në një superklub duke fituar trofe kombëtare e ndërkombëtarë dhe duke ndërtuar një sistem akademie cilësore që prodhon lojtarë si pakkush në Angli.
Sipas “The Guardian”, me largimin e Abramoviç, edhe ajo e cila mban nofkën “Zonja e hekurt” në futbollin anglez, do t’i japë lamtumirën bluve, pasi ka qenë një nga njerëzit më besnikë të miliarderit rus. Nëse klubi shitet, të njëjtën gjë parashikohet ta bëjnë edhe një pjesë e madhe e bordit drejtues në të gjitha nivelet, duke e vlerësuar të mbyllur ciklin e tyre në klub pas epokës Abramoviç.





































