Google search engine
Home Politike Drejtesi I mbaroi mandati, Mirela Bogdani zëvendëson Gent Ibrahimin si anëtar të KLP,...

I mbaroi mandati, Mirela Bogdani zëvendëson Gent Ibrahimin si anëtar të KLP, shtyhet seanca për zgjedhjen e kryetarit të ri

0
312

Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi përfundimin e mandatit për ish-kryetarin Gent Ibrahimi dhe zëvendësimin e tij me anëtaren e re jo magjistrate të zgjedhur nga Kuvendi, Mirela Bogdani. Pasi Këshilli kreu formalitetet procedurale, duke miratuar me të gjitha votat Bogdanin si anëtare të re të KLP-së, nënkryetari Alfred Balla paraqiti menjëherë për shqyrtim pikën e dytë të rendit të ditës, për zgjedhjen e kryetarit të ri. Balla sqaroi se mbledhja ishte thirrur jashtë radhe dhe në mënyrë urgjente prej tij, pasi Ibrahimit i kishte përfunduar mandati më 28 shkurt.“Ka lindur nevoja për zëvendësimin e këtij posti. Aktualisht, rolin e kryetarit e bëj unë në cilësinë e zëvendëskryetarit, por potencialisht kanë të drejtë të pesë anëtarët jo prokurorë, pra unë, znj. Seiti, z. Bazaj, znj. Bogdani dhe z. Beci. Jemi të pestë potencialisht kandidatë për të kandiduar për postin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë,” deklaroi ai dhe kërkoi anëtarëve mendimin për procedurën dhe u kërkoi të propozojnë ndonjë kandidat. Ndërsa anëtarja Nurihan Seiti Metaj e cilësoi si absurd diskutimin mbi procedurën për zgjedhjen e kryetarit. Ajo rikujtoi se kryetarin e mëparshëm e kishin zgjedhur jo vetëm pa e njohur, por sipas saj, që ditën e parë që ishin ulur në tavolinë. “Më bën çudi se çfarë duhet të lëmë, çfarë platforme nevojitet. Ne sot e dinim që do zgjidhej kryetari. Çfarë do na sjellë koha,” u shpreh Seiti, duke argumentuar se kryetari i jep këshillit “arkitekturën institucionale”. Propozimi i Becit për shtyrje u mbështet dhe nga anëtarët prokurorë të KLP-së, Bujar Sheshi dhe Sokol Stojani. Në përfundim, u arrit të votohej vetëm shtyrja e seancës për zgjedhjen e kryetarit të ri të KLP-së, por nuk u përcaktua ndonjë afat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here