Mediat italiane kanë zbardhur detaje të tjera në lidhje me arrestimin e Giuseppe Guttadauro të njohur si ‘doktori’ i klanit mafioz Cosa Nostra. Guttadauro e ka marrë pseudonimin ‘doktori’ pasi ka qenë kirurg në spitalin Civic të Palermos.
Në vitin 1984 ai u arrestua për herë të parë si pjesëmarrës në një klan mafioz. Guttadauro u arrestua në nëntor 2002 gjatë operacionit antimafia të quajtur “Akull”. Me këtë rast, karabinierët, gjatë përgjimeve mjedisore brenda shtëpisë së Guttadauro, kanë regjistruar biseda mes këtij të fundit dhe ish-këshilltarit shëndetësor të Palermos.
Për këtë gjë Guttadauro u dënua me 13 vjet e 4 muaj burg. Më 3 mars 2012, ‘doktori’ doli nga burgu për sjellje të mirë. Megjithatë, ai nuk donte të tërhiqej. Hetimet që çuan në arrestimin e tij të dielën e kaluar hodhën dritë mbi lëvizjet dhe aktivitetet e Giuseppe Guttadauro. Sipas hetuesve, ai ka mbajtur kontakte me Cosa Nostra-n edhe nëpërmjet djalit të tij, i cili “ndërmjetësonte” bashkëbisedimet me të dyshuarit e tjerë aktivë në Palermo.
Përgjimi ka nxjerrë në pah edhe kritikat e ashpra të “doktorit” të brezave të rinj të mafiozëve. Guttadauro, sipas rrëfimit të hetuesve, i kërkoi djalit të tij nevojën për të “evoluar”, duke iu qëndruar parimeve të Cosa Nostra-s. Guttadauro kishte planifikuar një trafik droge jashtë vendit, të financuar nga disa bashkëpunëtorë palermitanë, nëpërmjet një shtetasi shqiptar, për të marrë hashash dhe gjithashtu për të siguruar një kanal për sjelljen e kokainës nga Amerika e Jugut.
Rol kishte edhe një stjuardesë e këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë. Ky i fundit duhej të transportonte 300 mijë euro drejt Brazilit kur dërgesa e drogës nga Amerika e Jugut mbërriti në Holandë. Guttadauro, sipas asaj që zbulojnë karabinierët, nuk do të hezitonte të urdhëronte dhunimin e personave që ai besonte se po pengonin që gjërat të shkonin sipas planeve të tij me aferën që përfshin edhe ish-ministrin Mario Baçini, këshilltar opozitar në komunën e Fiumicino.






































