Moti i keq godet shtetin fqinj me Shqipërinë, stuhia “Diomidis” shkakton probleme, çfarë pritet?

0
159

Një valë e motit të keq me emrin “Diomidis” ka goditur Greqinë, duke shkaktuar probleme të mëdha kryesisht në zonat e Thesalisë, Maqedonisë qendrore dhe në Greqinë kontinentale.

Në Farsala pranë Larisës ujërat e detit nga era e furishme kanë dale dhe kanë përmbytur gjithë zonën bregdetare.

Në pjesën qendrore të vendit, lumenjtë kanë dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të shumta, duke shkaktuar përmbytje të shtëpive dhe të të mbjellave, dhe ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona.

Gjatë natës në zonën e Koskinës në Kardhicë, ujërat e rrëmbyera kanë çarë digën e lumit Kalentzis dhe shumë fshatra aty pranë janë në rrezik të përmbyten, ndërsa në shumë të tjera dëmet janë të pallogaritshme.

Ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike ka pasur në Elassona, zona të Larisës, Tempit, si dhe në Volos. Gjithashtu edhe një pjesë e madhe e zonës turistike të Halkidhikisë ne lindje të Selanikut.

Edhe ishulli i shumëvuajtur muajt e fundit nga zjarret dhe përmbytjet, Evia, nuk i ka shpëtuar fenomeneve të tejskajshme me të cilat shoqërohet vala e motit të keq, me probleme të shumta sidomos në qarkullimin e automjeteve në rrjetin rrugor tepër të dëmtuar.

Në shumë ishuj të Egjeut është ndërprerë lundrimi i anijeve për shkak të dallgëve me fuqi deri në 10 ballë.

Ndërkohe stuhi bore janë raportuar pranë Trikallas në Greqinë qendrore, ndërsa reshje bore ka pasur në lindje të Greqisë përgjatë lumit Evros, si dhe në zonat Amintios, Prespës e Follorinës, pranë kufijve shqiptarë, zona të cilat përveç motit, kanë pasur probleme me lëkundje të tjera sizmike që ende vazhdojnë pas tërmetit të fuqishëm 5.3 shkalla Rihter, që u shënua mesnatën e së dielës, ndaj dhe autoritetet kanë shpallur aty gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas informacioneve të fundit, rrugët nacionale mbeten të hapura, por shkollat do të jenë të mbyllura deri në fundjavë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here