Një skandal ka ndodhur ditët e fundit në vendin tonë me të dhënat private të shqiptarëve ku janë publikuar pagat e tyre, krahas së cilës tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë.
Pagat e mbi 637 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat kanë rrjedhur në rrjetet sociale duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre.
Lidhur me këtë skandal ka nisur edhe marrja e masave konkrete ndaj disa personave. Me anë të një shkrese zyrtare bëhet me dije se janë pezulluar nga detyra punonjës në disa sektorë të Drejtorë së Tatimeve.
Në shkresën zyrtare thuhet
Urdhërohet pezullimi i të gjithë punonjësve në Sektorët e Drejtorisë TIK të Tatimeve, si më poshtë:
– Sektori i pajisjeve fiskale
– Sektori i Operacioneve
– Sektori i Zhvillimeve të Mirëmbajtjes së Programeve
– Sektori i Rrjetit dhe Infrastrukturës
– Sektori i Ndihmës Teknike
– Sektori i Sigurisë së Të Dhënave
– Sektori i Tatimpaguesve të Mëdhenj.
Ky vendim hyn menjëherë në fuqi.

Kujtojmë që lista e pagave, një dokument në formatin “excel” ka qarkulluar në “Whats App” duke përbërë një shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.






































