Publikimi i pagave dhe akuzat për serverin e Tatimeve, Spartak Braho: Hajdutët e vërtetë bërtasin kapeni hajdutin

0
392

Nga Spartak BRAHO

“Skandal” po thirret nga shumëkush dalja e disa të dhënave personale të shqiptarëve për pagat, targat e makinave, etj. Të botuara në median e shkruar dhe rrjetet sociale, akuzon palën tjetër për shkelje të rënda të ligjeve. Kryeministri gjeti vend dhe e cilësoi faj të strukturave shtetërore daljen e tyre. Komentet tashmë kane vërshuar lumë dhe një pjesë e opinionit e një krah i politikës kërkon hetim të gjithanshëm penal nga prokuroria dhe dorëheqjen e kryeministrit. Madje një “kukumjaçkë” ekonomiste, që rri në krah të Bashës, evokoi dhe bëri analogji me një ngjarje e cilësuar si tentativë për “të vjedhur” të dhënat e serverave të Drejtorisë së Tatim Taksave në korrik të vitit 2013 nga Spartak Braho e disa ekspertë IT si fillesa e këtij skandali. Broçkulla pa lidhje dhe si zakonisht shpifje për të mbuluar ndërhyrjet e bandës financiare të Berishës në atë kohë kryeministër, që të vihej dorë në rimbursimin e paligjshëm të dhjetëra klientëve të tyre, të asaj kohe me në krye Shkëlzen Berishën, të qindra mijëra eurove, përfundime këto të ekspertizës së autorizuar nga shteti, përfundimet e të cilës iu dërguan Prokurorisë së Përgjithshme për t’u hetuar, por që ajo në përfundim i mbylli me një arsyetim absurd: “Nuk kemi mjete shkencore dhe aftësi profesionale t’i vërtetojmë!” Pak a shumë, kështu ishte edhe përgjigja e Adriatik Llallës, si Prokuror i Përgjithshëm në atë takim që pata me të. Bazuar edhe në ekspertizën shumë profesionale për kohën, kisha dhe kam bindje të plotë, se vjedhjet me anë të rimbursimeve të stisura ishin të sakta. Për sa u përket ekspertëve te miratuar E. Beqiraj dhe P. Gjiknuri, ata nuk kishin asnjë lidhje me Edi Ramën. Ermal Beqiraj ishte një laureat i universiteteve franceze i kualifikuar si nga më të mirët në Europë. Kaq! Ata bënë detyrën dhe materiali iu dërgua si denoncim prokurorisë nga Brisida Shehu, drejtore e Tatimeve në atë kohë. Me pak fjalë kjo ishte historia e ndërhyrjes në serverat në vitin 2013 nga Spartak Braho. Në vitin 2017 opozita ngriti një komision hetimor në Kuvendin e Shqipërisë për ta hetuar rastin e “sulmit” tim në serverat e Tatim-Taksave, por e pa që hyri në qorrsokak dhe pas ca kohësh u tërhoq me bisht në shalë pa gallamosur gjë. Me gjithë angazhimin tim institucional dhe profesional si deputet dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, pranoj se “dështova” si rrallë herë për ta nxjerrë e goditur qelbin financiar të Qeverisë Berisha. Por… po të duan zotërinjtë e hapim prapë. Në çantë i kam listat e atyre që e organizuan apo përfituan!

Ja çfarë kam shkuar në librin “Masakroni Servet Pëllumbin” për këtë çështje

Mbledhja e qeverisë së re, filloi me disa raportime rutinë për gjendjen financiare që u rrotullua për disa minuta në fjalët e ministrave rreth asaj që quhej ato ditë “Gropa e thellë financiare apo Humnera e Zezë”, ku e kishte zhytur vendin Sali Berisha gjatë qeverisjes së tij të mëparshme, të cilën sapo e kishte dorëzuar. Kryeministri Rama i kërkoi të raportonte dhe ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili ndër të tjera theksoi se “Gropën e zezë” financiare që ishte hapur, e kishin thelluar edhe disa afera korruptive me rimbursimet e hyrje-daljeve fiktive të të ardhurave në buxhetin e shtetit edhe nga dy kompani kineze fantazmë që kishin luajtur me taksat. Ministri Cani theksoi se disa pjesëtarë të këtyre kompanive ishin arrestuar dhe po hetoheshin nga prokuroria.

Edi Rama: Cila është vlera e këtyre aferave korruptive?

Shkëlqim Cani: Deri tani aty tek 5 milion euro, por duhet të jetë akoma më e thellë. Duhet të ushtrojmë një kontroll të gjerë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim Taksave.

Spartak Braho: Z. Kryeministër! Ky është një informacion shumë i rëndësishëm dhe mesa shikoj mjaft i rëndë. Gjykoj se mekanizmi që është përdorur për përvetësimet e mëdha ka nxjerrë jashtë loje sigurinë kombëtare në aspektin financiar të saj. Një vrimë e madhe është hapur dhe duhet kontrolluar urgjent i tërë sistemi i lëvizjeve monetare të Drejtorisë së Tatim Taksave.

Edi Rama: Dakord! Ju, si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare bisedoni me Ministrin që të organizohet një kontroll i thelluar atje ku mendoni se është krijuar problemi. Për ta evidentuar atë dhe… Në qoftë se duhet ndonjë akt nga qeveria ta përgatisim.

Dy javë më pas…

Edi Rama: Çfarë rezultoi nga kontrolli në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim Taksave?

S.B: Atje ishte një katrahurë e tërë, institucion i shqyer nga të gjitha anët. Impiantet elektronike dhe serverat ishin në mëshirë të fatit. Eksperti E. Beqiraj, i angazhuar në kontrollin e serverave dhe tërë sistemit të Tatim Taksave më vuri në dijeni se ka lëvizje të llahtarshme, fshirje dhe zhvendosje të të dhënave dhe regjistrimeve, rimbursime të falsifikuara që lidhen me tatimet dhe taksat që kanë krijuar diferenca dhe humbje që shkojnë në një mungesë të pa justifikuar më shumë se 250 milion euro.

Edi Rama: Kush ka përfituar nga këto rimbursime falso?

S.B: Sipas të dhënave të ekspertizës, janë mbi 200 kompani në krye të të cilës qëndrojnë kompanitë “Actor, Bankers, Albpetrol, etj.”

Edi Rama: O zot, të jetë e vërtetë? Ç’është kjo rrumpallë? Si mundet? E pa imagjinueshme!

S.B: Unë them se të dhënat që na paraqiti eksperti janë plotësisht të vërteta, pasi ai përdori programe të posaçme elektronike për verifikimin e tyre! Gara për të vjedhur ka qenë e fortë. Për të krijuar bindje edhe Ju, bisedojmë nga afër dhe me ekspertin. Kjo është një pjesë e “Gropës së zezë financiare” ku e rrokullisi vendin Saliu.

Edi Rama: Si mendon, ç’duhet bërë?

S.B: Duhet të denoncohen menjëherë ish-drejtuesit kryesorë të Drejtorisë së Tatim Taksave, Drejtori i IT Renald Rista në Prokurori, por drejtoreshë Brisida duhet të bëjë spastrime dhe të rregullojë regjimin e hyrje-daljeve në ambientet e serverave. Nga hetimet e bëra nga Policia Gjyqësore thuhet se në këto lëvizje financiare ka marrë pjesë me porosi edhe Shkëlzen Berisha…

Edi Rama: Po, po, bisedo me Çimin dhe Brisidën dhe bëni denoncimin, -tha duke mbyllur dialogun me dilemën e një skandali që i binte në prehër menjëherë një Kryeministri që sapo kishte marrë detyrën.

Në ditët në vijim, shtypi i djathtë tej mase i alarmuar nga skandali u mbush me shkrime dhe akuza ku thuhej se Spartak Braho kishte grabitur të dhënat e serverave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. E prisja këtë sulm! Prekeshin interesa të mëdha të mafies financiare të drejtuesve të Partisë Demokratike. Pas disa muaj hetimi Prokuroria e Tiranës, ndonëse vura në dijeni edhe Prokurorin e Përgjithshëm A. Llalla, e mbylli çështjen me arsyetimin “nuk kemi mjete, programe të posaçme dhe aftësi profesionale e shkencore për të hetuar më tej”.

Pasi lexova vendimin e prokurorisë për pushimin e hetimit, i shkrova Kryeministrit: “Prokuroria e Tiranës e mbylli çështjen. Një turp i tërë që lekët e shqiptarëve janë vjedhur, kurse këta të prokurorisë thonë nuk kemi mjete të vërtetojmë akuzat e ngritura të këtij krimi financiar!”

Po atë pasdite kryeministri Rama, pasi mori njoftimin tim, më ktheu përgjigje: “Spartak! Ky nuk është organ hetimi, por organi i turpit që ka marrë ujë nga të gjitha anët, plotësisht! Duhet t’i bjerë kosa…”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here