Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çuar për ndjekje penale 67 numërues për të cilët kanë manipuluar votat e 25 prillit. KQZ rihapi 10 për qind të kutive të votimit për të kryer një verifikim pas zgjedhor nga i cili rezultoi se në 40 qendra votimi diferenca lëvizte nga 10 në 20 vota, ndërsa në 19 qendra votimi rezultati lëvizte me 80 vota. Po ashtu u verifikua se votat ishin manipuluar edhe brenda partive. KQZ pasi shqyrtoi raportin me gjetjet dhe problematikat e konstatuara, vendosi sanksione administrative ndaj 32 sekretarëve të komisioneve të qendrave të votimit si dhe kallëzim penal ndaj 67 numëruesve. “Në përfundim të verifikimit paszgjedhor, u analizuan të dhënat mbi respektimin nga ana e komisioneve të qendrave të votimit të kërkesave procedurale gjatë procesit të votimit, si dhe saktësisë së veprimeve të grupeve të numërimit të votave përgjatë procesit të vlerësimit dhe numërimit të votave. Pasi shqyrtoi raportin me gjetjet dhe problematikat e konstatuara, KSHZ vendosi miratimin e raportit, t’i kërkojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosjen e sanksioneve administrative ndaj 32 sekretarëve të komisioneve të qendrave të votimit, si dhe të bëjë kallëzim penal pranë organit të prokurorisë për shkeljet e konstatuara nga 67 anëtarët e 18 grupeve të numërimit”, vendosi KQZ. Në listën e publikuar nga KQZ për diferencën e votave, janë pasqyruar një sërë kandidatësh të cilëve u janë vjedhur votat dhe që u janë shtuar. Disa prej tyre janë, deputeti Zef Hila të cilit i janë hequr 101 vota në 3 qendra votimi ndërsa Rigerta Lokut i janë shtuar 24 vota. Po ashtu deputetes Belinda Balluku i janë shtuar 36 vota ndërkohë deputetit Belind Këlliçi i janë hequr 29 vota. Bledi Çuçit i janë hequr 52 vota dhe i janë shtuar 22 vota ndërkohë Blendi Klosit i janë shtuar 27 vota.
Celibashi flet për shkeljet e konstatuara
Ndërkohë kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se për 67 numëruesit do të vendosë prokuroria nëse janë përgjegjës apo jo për parregullsitë por shkeljet janë konstatuar. Celibashi tha se tha se në dy qendra votimi janë identifikuar 20 raste të votimeve të shumëfishta, ku sipas tij janë raste të qëllimshme prandaj dhe Prokuroria duhet menjëherë të marrë masa. “Të gjitha shkeljet që i kemi vlerësuar si shkelje penale, kanë të bëjnë me diferenca në fletët e votimit, apo në rezultatin e votimit për kandidatin, jo për partinë. Ne s’kemi në kushte as për të hetuar dhe verifikuar për këta anëtarë, që janë apo jo përgjegjës për këtë parregullsi. Ne i kemi identifikuar votim të shumëfishtë. Shenjat e gishtit janë të verifikuara për 20 raste për më shumë se një qendër votimi, janë në dy qendra votimi. Urojmë që mos ketë qenë e qëllimshme pasi ne nuk duam të çojmë njerëz në burg. E kemi konstatuar këtë shkelje dhe duam ta referojmë për hetime të mëtejshme. Shenja jote e gishtit gjendet në dy shenja të ndryshme votimi, na bën të mendojmë që kjo nuk është një pakujdesi. Kjo ka qenë e qëllimshme sepse ti ke votuar njëherë pse ke shkuar te qendra tjetër për të votuar. Janë 20 raste gjithsej”, tha Celibashi.









































